IBRAHIM KADRIU: Tringa

I lindur më 8 janar 1945 në Zhegër të Gjilanit (Kosovë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, më 1959, ndërkaq shkollën e mesme (Normalen) në Gjilan në vitin 1964. Studimet universitare i mbaroi në Prishtinë. Pas dy viteve të punës si pedagog, më 1968 ka filluar punën e rregullt të gazetarit në të përditshmen "Rilindja", gazetar e redaktor i kulturës dhe reporter i lirë. Në "Rilindje" i ka vazhduar puna gjer në dhjetor të vitit 1999 kur (në detyrën e redaktorit) kalon në të përditshmen "Zëri" ku edhe sot punon. Që nga fillimi i viteve të gjashtëdhjeta aktivisht merret me letërsi. Deri tash ka botuar këto vepra:"Netët e Karadakut", poezi (1969); "Qyteti i luleve", tregime (1970), "Pranvera shikon nga bregu", vjersha (1972), "Diçka po ndodh", poezi (1972) "E lumi rridhte", novelë dhe tregime (1973), "Armendi", poemë (1974), "Pas kthimit", roman (1975), ribotoi "Naim Frashëri",(1985), "Hapësirë", poezi (91977), "Shpëtimtarët", novelë dhe tregime (1978), "Kohë e të korrave", roman (1979), "Troku" , poezi, (1980), Tregime (1980), "Kroi i ilaçit", roman (1982), botimi serbokroatisht "Lekovit izvor" (1987), "Ethet e një dimri", roman (1983), "Koprena vremena" , serbokroatisht, poezi (Veli i kohës) - (1984), "Zogjtë fluturojnë vetë", roman (1986), "Fjalori i mbrapsht", poezi, (1986), "Epoka në figura", roman (1987), "Nëna", novela, (1988), Tregime, përzgjedhje lekture (1988), “Qyteti buzë liqenit”, roman, 1988; "Pastaj harrohet", poezi (1989), "Më shumë se lojë", roman (1990), "Qerrja e dritës"(biografi letrare e Nënë Terezes), roman (1990), "Loja e fundit", roman (1993), "Përrallorja", novelë dhe tregime (1996), "Vite me plagë", roman (1998), "Spirale muzgu", roman (2002), "Shqiptarja e gjithë botës", roman, ribotim i UEGEN-it, Tiranë, 2003, ribotim i romanit "Qerrja e dritës"; "Shtëpia e fantazmave", roman, 2004; "Qeni me tenxhere", poemë, 2005, "Dreni dhe Drenusha" novelë, ilustracion shqip-norvegjisht, 2005, “Çuni i kohës së Lekës”, roman (2006); “Kalorësi i Karadakut”, roman (2007), “Frymëmarrje në shtjellë”, poezi (2007), “Në Vajhall”, roman në dy libra, (2008), “Dy plus Dy”, dy drama dhe dy novela për të rinj, 2008” "Na ramas timp pentru sarbatori" (S'mbet kohë për kremte), vëllim poetik në gjuhën rumune, Bukuresht, 2005. Botime të tjera: Dhurata letrare, libër leximi për kl. VII (1987), shumë herë i ribotuar, "555 arsye për të qeshur", libër me mahi, me pseudonim I. Karadaku (1995), "444 arsye për të qeshur", libër me mahi, me pseudonim I. Karadaku (1997).

Pjesë nga veprimtaria e Ibrahim Kadriut (poezi e fragmente prozash) janë botuar edhe në frëngjisht, gjermanisht, arabisht, rumanisht, turqisht, italisht, anglisht.

Për veprimtari letrare ka marrë mirënjohje të ndryshme, si Çmimin "Shtjefën Gjeçovi," për poezi, Çmimin e Nëntorit (të Prishtinës) për skenarin e serisë televizive "Fidani", realizuar sipas romanit "Pas kthimit", Çmimin e vendlindjes, çmimin "Agim Ramadani" , Çmimi vjetor “Hivzi Sylejmani” i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, për romanin :Kalorësi i Karadakut”, Çmimi vjetor “Ymer Elshani” për romanin “ “Çuni i kohës së Lekës”. e tj. Romanin "Pas kthimit" Radio Tirana e ka realizuar edhe si radiodramatizim të cilin (në disa vazhdime) e ka emituar gjatë viteve të tetëdhjeta.


Tringa[1]


Përkohësisht qe vendosur në periferi të qytetit, në një banesë të ngushtë, në katin e tretë të pallatit, prej kah kishte një pamje në rrugën njëanësore, në trotuaret e të cilës kishte të mbjellë mështekna që i kishin të lëshuara degët, dhe përngjanin në të ashtuquajturat shelgje pikëllimi. Këta drunë, që përngjanin në shelgje pikëllimi, i përngjanin në veten e tij të lodhur...

Një ditë, gjatë atyre muajve të qëndrimit në vetmi, por i shoqëruar vetëm me libra, shënime dhe me tingujt e një transistori, përmes të cilit, sidomos në orët e vona të natës, dëgjonte lajmet e fundit të ditës dhe njihej me rrjedhën e ngjarjeve, takoi një kalimtare tek ecte trotuarit në lagjen e tij dhe me atë ecje ndrojtje ia mori mendja se ajo kishte frikë, se nuk kishte dëshirë të vërehej. Tek ajo hetoi të humburën e cila, në ecje e sipër, kthente kokën prapa, shikonte frikshëm. Bali Tuzi e përcolli atë, pa i dhënë shkas të mendonte ajo se përcillej nga ai dhe për këtë shkak ai, me të arritur te pallati ku banonte, kishte ulur kokën, kishte hyrë në korridor dhe ishte ngjitur shkallëve, ishte futur në banesën e tij. Menjëherë kishte zënë vend te dritarja. Kishte shikuar tutje në rrugë dhe, përmes atyre degëve të mështeknave, e kishte parë femrën që tani nuk ecte; qëndronte e mbështetur për trungun e njërës nga mështeknat. Ajo sikur priste ndokënd, meqë shikonte habitshëm për të mos thënë frikshëm: përcillte njerëzit tek i kalonin për skaj, i shikonte vjedhurazi, sikur të mos dëshironte t’u binte në sy, apo sikur të dëshironte ta ndalonte ndonjërin prej tyre, por ja se nuk kishte guxim, ia merrte mendja Bali Tuzit, tek vazhdonte ta shikonte përmes xhamit të dritares.

Ajo tashmë paraqiste objektin kryesor për kureshtjen e tij. Ishte mesatare me trup, me flokë të lëshuara shpinës. Kishte një pamje të mrekullueshme, që i dallohej sa herë që kthente kokën drejtë, por edhe kur e kthente anësh, profili i saj bënte të kuptohej se kishte një sharmë të pëlqyeshëm. Qëndronte me duar të thyera bërryl dhe të mbështetura njëra mbi tjetrën, në pjesën e përparme të trupit, sikur të donte, asisoj, t’i mbante gjinjtë në pozitë më të fryrë.

Bali Tuzi e kishte vendosur të qëndronte në atë pozitë, skaj dritares, duke mbajtur cepin e perdes të tërhequr dhe shikimin përtej, mbase për ta kuptuar realitetin mbi atë person dhe ishte i bindur se, pa ndonjë vonesë të tepruar, do t’i afrohej ndokush që e njeh dhe do ta shoqërojë atë tutje. Porse, për dy orë rresht, asgjë nuk ndodhi. As erdhi ndokush që t’i bënte shoqëri, as luajti nga ajo pozitë ajo femër me flokë gështenje, që thashë: të lëshuara shpinës, dhe me një si pardesy të hedhur krahëve.

Gjatë atyre dy orëve Bali Tuzit iu shfaq dhembja e këmbëve, andaj u mbështetë dhe shikoi orën: ishte gjashtëmbëdhjetë pa pesë minuta. “Au!” bëri zëshëm. U shkëput nga dritarja dhe iu afrua tavolinës së punës mbi të cilën ishte kompjuteri. E vuri në veprim. Zakonisht në mesditë e fuste në veprim lidhjen elektronike, çelte dritaren e mesazheve; kontaktonte me njerëz të caktuar, me adresa të përhershme, me individë me të cilët mbante lidhje, informohej për shumë çka dhe këmbenin mendime rreth artit, dhe jo vetëm rreth artit. Kjo mënyrë komunikimi i pëlqente së tepërmi, sepse kjo formë afrie ndihmonte që, ajo vetmi e tij, të mos ishte me kuptim të plotë. Përmes kësaj forme komunikimi, merrte mesazhe nga më të ndryshmet, njihej me pikëpamje interesante filozofike. Si zakonisht, edhe kësaj radhe, e kishte ndërmend që, me të hyrë në banesë, të aktivizonte lidhjet, por i harruar te dritarja, e kishte harruar kompjuterin të cilin pak më parë e kishte vënë në veprim. Iu afrua. E shikoi ekranin, pastaj iu qas simbolit për internet. E aktivizoi që të përfitonte lidhjen dhe, prapë, vajti te dritarja të shikonte në rrugë, por ajo nuk ishte më në atë vendin e mëparshëm, nuk ishte e mbështetur për trungun e asaj mështekne. Sikur ta kishte lëshuar toka. Largimi nga i vend ia shtoi misterin dhe e nxiti Bali Tuzin të bëhej edhe më kureshtar për të. U pendua pse nuk i foli sa ishte në rrugë, mandej, në vend të qëndrimit para xhamit të dritares mendoi se do të ishte shumë më mirë të zbriste shkallët, të dilte në trotuar, t’i afrohej dhe të fliste me të, sado që nuk kishte ndonjë ide se çfarë do të fliste, apo vetëm do ta pyeste se kush ishte dhe prej nga vinte në atë lagje të tij, dhe a mos i duhej farë ndihme. Por e kundërshtoi mendimin, duke menduar se do të përballej me përgjigjen në formën e pyetjeve: “çka po të intereson ty?”, ose “a nuk ke tjetër punë?”, apo “mbërtheu!” ose “ik, lumja dada... shiko mos po të derdhet fasulja...” Këtë shprehje të fundit ia kishte pas thënë, në një rast të moshës së hershme të tij, një biondine e cila qëndronte e mbështetur për muri afër hyrjes në korridorin e një ndërtese. Ndryshe, Bali Tuzi ishte krejtësisht i një natyre tjetër. Pavarësisht çka i sillej në kokë, në realitet ishte njeri i vetvetes dhe për vetveten. Nuk i interesonte askush, madje as femra si gjini, si krijesë biologjike. Krejt çka kishte menduar se si do të ofrohej, e çfarë do t’i fliste asaj, s’ishte veç një ëndërrim në vetvete. E largët ishte ajo kohë kur, duke u bërë viktimë e simpatisë, kalonte me ditë e net të tëra duke planifikuar një përshëndetje të vetme që do t’ia bënte ndonjërës.

Aso kohe Bali Tuzi ishte student, ishte në kohën më të hareshme dhe bënte jetë të shfrenuar, duke rend pas dëfrimeve. I kishin pas thënë se në atë hyrje, ku banonte edhe ai, ishte një banesë të cilën banonin katër femra, të ardhura kush e di prej nga, por që pranonin meshkujt brenda dhe bënin tregti përmes kënaqësive të tyre... Njëra prej tyre, derisa Baliu me afshin rinor kishte kërkuar ta pranonte në përqafim, ia kishte pas falur atë shprehjen “ik, lumja dada... shiko mos po të derdhet fasulja...” Ishte ai momenti kur Baliu, jo vetëm që ia kishte bërë me kokë drejt hyrjes në korridor, por edhe e kishte zgjatur dorën ta tërhiqte andej, sepse i kishin thënë se ndaj femrave të tilla duhej të kishte sjellje arrogante shkaku i lekëve që do t’ia jepte. Mirëpo ajo, lëre që nuk e kishte lënë ta prekte me dorë, por edhe e kishte shty duke i thënë “Ik, lumja dada... shiko mos po të derdhet fasulja...!” Kjo shprehje e saj i ishte bërë pikë në zemër, sepse nuk e kuptonte; fare nuk arrinte t’ia mësonte domethënien, ndërkaq shokët atë shprehje të saj e përdornin të bënin shaka, duke i thënë se “me fasule ajo kudër ta ka identifikuar atë sendin...”

“Mirë bëra që nuk fola me të”, mendoi, mandej u ul pranë kompjuterit.

Postën e kishte të zbrazur, asnjë mesazh nuk kishte arritur. Pa arritur ende të shënjonte adresën e një miku, me qëndrim në Amsterdam, nga i cili shumë shpesh i vinin të shkruarat në formën e letrave dhe të mendimeve me të cilat ai preokupohej, e që e kishte ndërmend t’i shkruante mbi idenë e vetmisë të cilën e kishte pranuar për shumë arsye, iu mbush ekrani me referenca spontane, nga ato më banalet të shfaqura përmes figurave lakuriqe, deri te reklamat për makinat luks. Nga këto të hedhura në ekran sikur i lëndohej vetmia të cilën e kishte zgjedhur dhe për shkak të saj ishte larguar nga shtëpia ku e kishte gruan dhe fëmijët. Me marrëveshje paraprake kishte arritur të bind gruan se i duhej ajo jetë e vetmuar, se në bashkësi nuk kishte mundësi të koncentrohej, të qëndronte me orë të tëra pa lëvizur nga karrigia duke u marrë me ndonjë ide. Në bashkësi ndodhte që, në momentet që ai i quante më interesante, në momente frymëzimi, t’i prishej rendi i meditimit dhe punës.

Largimin nga shtëpia dhe vendosjen në atë banesë, e çmonte si shpëtim dhe e mbante shpresa se në aso kushte vetmie do të arrinte të krijonte vepra, duke i shfrytëzuar edhe mendimet e të tjerëve që do t’i vinin nga këmbimet e mesazheve përmes internetit.

Iu qas shenjës në ekran, të emëruar me “hapi i parë”, në të cilin, sikur gjuajtjet e patateve në thes, i hidhte mendimet të strukur në ndonjë fjali ose në ndonjë periudhë, ashtu të pa sistemuara, por që i hynin në punë, qoftë përmes pasurimit të monologut të ndonjë protagonisti, apo për shtruarjen e ndonjë teme me gjerësi. Krahasimin e mendimeve me patatet Bali Tuzi e kishte bërë me qëllim, duke pasur për bazë se patatet e hidhura në thes janë të pa vlerë po qe se nuk do të qëroheshin, të griheshin dhe të ziheshin. Prandaj edhe mendimet në formën e fjalive ose të periudhave, mbase si patatet, njëherë duhet të grumbullohen, pastaj të qërohen e grihen, domethënë të analizohen e sistemohen në tekste tërësore.

Te “hapi i parë” gjeti shenjën tjetër që identifikohej vetëm me “Ah”. Edhe pse vetë e kishte shënua, domethënë atë tekst të fshehur brenda shenjës “Ah” vetë e kishte shkruar, nuk mund t’ia qëllonte se ai “ah” ishte për kënaqësi, apo për shqetësim. Që të dyja i ka në pronësi, që të dyja zotërojnë me të, kënaqësia dhe shqetësimi përbëjnë ekstremet që puqen në ndjesi, në zemër dhe, kur arrijnë në lartësi, njësoj trokasin në zemër dhe nxisin ofshamën apo klithmën “ah”.

Kur çeli këtë shenj, në ekran i doli teksti me temën rreth shpirtit të njeriut; rreth organizmit të orientuar nga zemra, që në të vërtetë ishte fragment nga një ligjëratë e një profesorit të mjekësisë i cili merrej me qelizat e organizmit, duke i çmuar ato në rolin e baraspeshës, duke i ndarë ato në pozitive dhe negative; duke i parë ato në fushë mejdani, në kundërshti mes veti, apo në luftë të vazhdueshme. Varësisht nga forca, nga ndikimi i jashtëm që mund të manifestohet përmes rrethanave në të cilën gjendet njeriu, në organizëm krijohet fronti i pozitives ndaj negatives ose i negatives ndaj pozitives. Asaj lufte i ndihmojmë, shpesh pa vetëdije. Ky raport kundërshtie në mes të pozitives dhe negatives, mund të shpjegohet edhe përmes vullnetit të mirë dhe vullnetit të keq. I pari, po qe se ka përkrahjen e organizmit, e arrin fuqinë e mposhtjes të vullnetit të keq dhe, në këso raste, qelizat e këqija humbin betejën dhe kësisoj fiton organizmi, domethënë shëndeti i mirë.

Të shënuarat e fshehura në shenjën “ah” do të jenë bazë e mirë për t’i dhënë jetë një rrëfimi interesant i cili do të shërbente edhe si përvojë për ruajtjen e shëndetit, por për këtë do të jetë e nevojshme të kontaktohet edhe njëherë me profesorin dhe, në formë interviste, duke i bërë pyetje konkrete, do të përgjigjej më drejtpërdrejtë, më thjeshtë e kuptueshëm për të gjithë ata që do ta lexonin rrëfimin. Pikërisht për këtë shkak Bali Tuzi e shihte të nevojshme që, një ditë, ta thërriste profesorin në atë banesë të tij, apo t’i shkruante një mesazh me pyetjet përmes internetit. Kjo formë iu duk më e mirë, por shkrimin e mesazhit e la për më vonë, apo për ndonjë ditë tjetër, sepse për habinë e tij, trokitja në derë sikur e nxori nga kllapia.

Shpejt e shpejt u ngrit. Dëgjoi me vëmendje duke u munduar të kuptonte se kush mund të ishte në derë, ngase në atë banesë, prejse ishte vendosur pasi që e kishte zgjedhur mënyrën e jetës në vetmi, nuk kishte lidhje me askënd.

Prapë e njëjta trokitje me ndërprerje të shkurtra.

E çeli derën.

Ishte pikërisht ajo femër që pak më parë qëndronte e mbështetur për trungun e mështeknës e që më vonë sikur treti dika.

E mati me sy prej majave të gishtave gjer në tepe të kokës, pa bë zë, duke pritur që ajo vetë të prezantohej dhe t’i jepte rast ta kuptonte se kush ishte, prej nga vinte dhe kush e kishte udhëzuar në atë adresë të tij të cilën ama askujt nuk ia kishte treguar. Ia nguli sytë duke shtrembëruar kokën, në shenjë habie, kurse ajo – çelu gurë, as flet as lëviz. Shikimin e mbante si të ngurosur, me një shprehje të përvuajtur të fytyrës, sikur duke dashur të kërkonte mëshirë, ndërkaq duart i mbante të mbështetura njërën mbi tjetrën dhe të lëshuara kah pjesa e fundme e barkut, njësoj sikur i mbante edhe kur gjendej në trotuar, e mbështetur në trungun e mështeknës. Përballja me shikime, në heshtje, do të zgjaste edhe më sikur, rastësisht, të mos kalonte korridorit një nga banuesit i cili i përshëndetë pa e marrë vesh se kush ishin, meqë për të parën herë i shihte para derës së hapur, të asaj banese ku, siç kishte dëgjuar, kishte ardhur të banonte një i pagojë. Kështu e quanin Bali Tuzin, sepse prej se ishte vendosur aty, as kishte trokitur ndonjëherë në ndonjë derë të fqinjëve, as ishte përshëndetur me ndonjë të rastit të takuar në korridor. Paraqitja e tij si banues i ri i atij pallati ishte më shumë se enigmë dhe nxitje për të tjerët që të formonin rrëfime shtesë mbi të.

Kalimi i rastësishëm i fqinjit nëpër korridor, përshëndetja e tij veç sa për të përshëndetur, bëri që te dy, si në korr t’ia kthejnë përshëndetjen me “mirëdita” dhe s’dihej, tani, a e përshëndetën kalimtarin e rastit, apo ajo përshëndetje i ishte drejtuar njëri-tjetrit. Nga shprehja në fytyrat e të dyve ngjante se, këtë përshëndetje, e kishin pranuar për vete dhe, në vazhdim, Bali Tuzi ia zgjati dorën ta përshëndeste. Ajo prishi rehatinë e duarve që ishin të vëna njëra mbi tjetrën, të mbështetura kah fundi i barkut, dhe ia rrëmbeu shuplakën e shtrirë të Bali Tuzit i cili ia përthekoi me shtrëngim ata gishta të ftohur.

-Deri në këtë kat askush nuk ma çeli derën, - tha. – Më falni që po ju bezdis, por kam uri...

Edhe më ia shtrëngoi gishtat.

-Hyn! – i tha, duke e tërhequr me dorën e përshëndetjes, kurse me dorën tjetër të shtrirë ia tregoi derën e dhomës ku do të hynte.

Brenda ishte rrëmujë. Pjesë të ndryshme rrobash të shpërndara, libra mbi kanape e mbi tavolinë, gjithashtu të shpërndarë në mënyrë të çrregullt. Kompjuteri i hapur që lëshonte një zhurmë monotone të cilën zhurmë, për çudi, Bali Tuzi sikur e hetonte për të parën herë. I tha:

-Ai dreq ftohësi si duket i është prishë.

Ajo nuk merrte vesh nga këto fjalë, njësoj që s’merrte vesh se si mund të ishte gjithë ajo rrëmujë sendesh të shpërndara në atë dhomë e sidomos ai grumbull enësh të palara që zënin koritën e kuzhinës. Grumbulli i enëve i ra në sy kur Bali Tuzi rrotullonte ato të gjente ndonjë të larë ku do të vente një copë buke, të cilën e mbante të mbështjellë me një qese najloni. Pasi e siguroi një të tillë ene, që ia merrte mendja se ishte e larë, iu drejtua frigoriferit. E çeli derën dhe nga një enë plastike nxori një copë djathi, e vuri mbi pjatë dhe, atë pjatë, ia afroi asaj.

-Hë, nuk ia ke gjetur vetit një vend për ulje? – i tha. – Ulu në kanape.

Ajo hoqi pardesynë, mori pjatën, u ulë. Atë pjatë e lëshoi mbi gjunjë që i dukeshin të skuqur. Derisa ishte ashtu e ulur, me këmbë të mbledhura e të kthyera pak si me një anë, fundi i shkurtë nuk arrinte t’ia mbulonte. Përball saj, në karrigen që e tërhoqi nga ana e tavolinës, u ul Bali Tuzi duke mbajtur këmbën përmbi këmbë. Shikimi i mbet si i ngrirë në portretin e asaj femre e cila, me nguti, merrte kafshatat e bukës dhe i gëlltiste thua se pa i përtypur. Për pak qaste e fshini krejt çka kishte në pjatë dhe dukej se mbet e uritur, meqë shikimin e gjuajti andej kah frigoriferi.

-Nuk ka më! – i tha Bali Tuzi, duke marrë me mend se do të kërkonte ende bukë. – Aq pat, aq të dhashë.

Ajo buzëqeshi në mënyrë artificiale, apo më mirë të thuhet sikur në mënyrë të pavetëdijshme. Një qeshje e thatë. Shpejt e shpejt tërhoqi buzët e buzëqeshjes, me dëshirë që të dukej më serioze, e gatshme të thoshte edhe ajo ndonjë fjalë.

-Ani që nuk ka... – tha dhe uli shikimin drejt dyshemesë.

E pa një letër të bërë duq. Zgjati dorën, e mori dhe nisi ta shtrijë dhe ta palos me pedanteri.

-U ngina! – i tha triumfalisht, derisa këndet e letrës i bashkonte të formonte një si hajmali.

-Prapë blejë. Furra nuk është larg... – ia ktheu Bali Tuzi.

-Ani! – u pajtua ajo.

-Nuk më the cila ishe ti?

Ajo vetëm e shikoi, pa i treguar se kush ishte. Kapi cepin e fundit me përpjekje që t’i mbulonte gjunjët, dhe këtë gjest e bëri kur hetoi shikimin e ngultë të Bali Tuzit drejt atyre gjunjëve.

-Ke të ftohtë?

-Kisha të ftohtë!

-Tash do të ngrohesh, - i tha duke u ngritur nga ajo karrige. Mbështeti pjesën e mbrapsë të kanapesë dhe nga andej nxori një plaf. Iu afrua . Ia hodhi mbi gjunjë.

-Mbuloji gjunjët, do nxehesh tash!

Prapë heshtje.

-Ho mo, nuk më the se cila ishe? – vazhdoi interesimin dhe, pa insistuar fort të mësonte se cila ishte, ia afrua t’ia ndreqte plafin. – Mbështillu mirë, se ende ke të ftohtë. Mbështetu në kanape, ose shtriu mirë e pusho, mandej kur të pushosh flasim. A mos dëshiron një gotë ujë?

Ajo pohoi vetëm me shikim dhe me lëvizje koke.

-A dëshiron të frigoriferit, apo të kroit? – tha dhe menjëherë u përgjigj vetë: - Jo moj, çfarë frigoriferi, ti edhe pa ujë ke të ftohtë!

Lëshoi rubinetin dhe mbushi një gotë. Ia ofroi, kurse ajo, njësoj si edhe kur e mori bukën, me nguti e rrëmbeu gotën dhe me dy harpa e piu.

-E mora me mend se ke etje, mbështetu tashti. Pusho!

Bali Tuzi u mbështet te dritarja duke shikuar përtej xhamave në rrugë e trotuare. Shikonte njerëzit tek kalonin andej, veturat që sa kapërcenin me shpejtësi, po aq edhe me ngadalë. Shikonte një mashkull, paksa në moshë, i cili shëtiste trotuarit, dhe sa shkonte në fund të trotuarit, kthehej prapë. Kishte të veshur një xhup shushuritësi, me kapulanë, por që s’e kishte të kthyer mbi kokë. I rrinte pas shpine, si pjesë anxhiku, të mbushur me gjësende. Duart i mbante të futur në xhepa, ndërkaq kërrusja e tij bënte me dije se kishte të ftohtë. Ai tip njeriu Bali Tuzit i dukej interesant, madje edhe i dyshimtë dhe atë dyshim ai e shprehte duke kthyer kokën herë me një anë, herë në anën tjetër; duke shikuar herë në një hyrje, herë në tjetrën. Sikur kërkonte ndokënd, o ndonjë adresë.

Bali Tuzi tërhoqi shikimin nga përtej xhami, nga trotuari, dhe u kthye nga kanapeja.

E pa trupin e saj skrupull, me këmbë të mbledhura, me gjunjë të mbështetur barkut dhe, ashtu e mbështjellë, dukej si thes i mbushur me kashtë. “E gjora!”, mendoi dhe zuri vend ndanë tavolinës, përpara kompjuterit.

Hapi faqen 56 të librit që ishte duke e lexuar, të librit “Shi në një legjendë” të cilën ia kishte dhënë një shkrimtar amator. Përnjëherë iu kujtua se atij libri më mirë do t’i shkonte titulli “Borë në një legjendë”, shkaku i tematikës që shtjellonte dhe borës që zinte hapësirë në shumicën e pjesës së rrëfimit. Fillimisht ai titull që e kishte libri i kishte pëlqyer, andaj kishte vendosur ta lexonte, ta thoshte mendimin me shkrim për të dhe të kontaktonte me shkrimtarin...

Në faqen 56 kishte arritur para, gati, një muaji dhe kurrsesi nuk mundej të shkonte më tutje, sepse pikërisht kur provonte të vazhdonte leximin, i ndodhte ndonjë ngjarje dhe detyrohej të ndërpriste. Edhe kësaj radhe, ani pse seriozisht mendonte të vazhdonte leximin, si pa vetëdije i shkoi shikimi kah kanapeja dhe, kur e pa atë femër ashtu skrupull, ndjeu dhembje për të, ani pse asgjë prej gjëje s’dinte nga biografia e saj. Ai gjumë i menjëhershëm që i erdhi dhe e mori në botën e ëndrrave, i dha shkas të mendonte se ajo femër ishte shumë e lodhur, e rraskapitur tej mase. Kush e di se prej nga vinte, çfarë hallesh kishte. Tani që e shihte të fjetur dhe i nxitur nga mendimet mbi fatin e saj, Bali Tuzi mezi priste të zgjohej ajo dhe t’i rrëfente gjerë e gjatë. E çlodhur, mendonte ai, do të ketë vullnet të flasë e të tregojë prej nga vinte, kush ishte dhe në cilën rrugë do të vazhdonte... Rrugën e saj të vazhdimit Bali Tuzi e mendonte seriozisht. Ishte i bindur se ajo vetë do të dalë nga banesa e tij dhe do ta vazhdojë atë rrugë në drejtimin e dëshiruar, dhe nuk do të kishte nevojë t’i tregonte asaj se kush ishte, çfarë pune bënte, pse ishte larguar nga shtëpia, nga gruaja e fëmijët dhe pse e dëshironte vetminë. Në rast se ajo nuk do të largohej, Bali Tuzi do të detyrohej t’i thoshte se e pengonte prania e saj, por ajo vazhdonte gjumin me një frymëmarrje të zorshme, mbase për shkak se qafën e kishte zënë keqas, të mbështetur në krahun e bërë bërryl, në mungesë të një jastëku të mirë. Bali Tuzi, derisa e shikonte, duke harruar krejtësisht faqet e librit që i kishte të hapur, u bind se do të bënte mirë sikur t’ia vente një jastëk nën kokë. U ngrit, eci në drejtim të dollapit ku i kishte rrobat, duke i tërhequr këmbët si në maja të gishtërinjve që të mos e zgjonte. Nga ai dollap tërhoqi një jastëk dhe ia afroi, por u shtang kur, nga jashtë, dëgjoi fishkëllimë të rrotave të automobilit mbi asfalt e që ajo fishkëllim përfundoi me krisma përplasjesh, nga zhurma e të cilave femra e shtrirë në kanape u ngrit trembshëm, duke flakur plafin që e kishte sipër.

-Ku-ku, çka u bë? – tha ajo derisa shikimin e çonte herë nga dritarja, herë nga jastëku që Bali Tuzi e mbante në dorë.

Bali Tuzi e përplasi jastëkun dhe u gjend te dritarja, të shikonte se çfarë kishte ndodhur dhe ndodhte atje. Edhe femra ofroi fytyrën te xhamat e dritares dhe klithi me gjysmë zëri:

-Medet! – tha dhe vuri shuplakën e dorës mbi gojë, hapi sytë e trembur nga ngjarja.

-E kam ditë, - tha Bali Tuzi, - kur bëjnë vozitje aq të shpejta kësaj rrugice të vendbanimit pa tjetër ndodhin edhe ndeshjet... – Shih, shih... – tha habitshëm. – I paskan mëshuar atij të gjori që pak më parë shëtiste andej-këndej...

Në asfalt kishte mbetur i shtrirë mashkulli që ishte i veshur me xhup. Drejt tij vraponin qytetarë të gjendur rastësisht në trotuare, por edhe të tjerë që dilnin nga korridoret hyrëse të pallatit. Ajo vazhdonte të mbante gojën me shuplakë. Nuk bëzante, derisa shikimin nuk e hiqte nga trupi i mashkullit të shtrirë në asfalt.

Ndokush kishte lajmëruar ndihmën e shpejtë. Autoambulanca me atë sirenën e zakonshme iu afrua të shtririt, ndërkaq nga ajo dolën katër veta me veshje të bardha, nxorën lesën nga pjesa e pasme e autoambulancës, tërhoqën mashkullin për të cilin fare nuk dihej se a ishte lënduar, apo kishte vdekur fare. E futën brenda autoambulancës dhe, duke lëshuar të njëjtën sirenë, makina shumë shpejtë treti, humbi te kthesa e parë e rrugicës që shkonte mbrapa pallatit, por sirena ende dëgjohej.

-E tmerrshme! – tha Bali Tuzi dhe e shikoi femrën e cila kishte qëndrim të ndrojtur, nga pak të përvuajtur, sikur të fshehte shumë çka në vetvete.

-I gjori... – vazhdoi ai. – Po ti, cila ishe, moj, se më çmende? – reagoi në mënyrë të pakontrolluar Bali Tuzi dhe me atë reagim sikur e trembi edhe më shumë femrën e cila, me hapa të shpejtë, mori drejtimin kah dera e daljes.

-Prit pak, - e kapi për krahu Bali Tuzi dhe derisa e tërhoqi kah vetja, asaj sikur iu lakua këmba dhe, në vend se të rrëzohej, u mbështet në kraharorin e tij me pjesën e përparme të gjoksit të fryrë. – Kah ia ke mësy?

-Ju lutem, - më në fund femra foli, - më lejoni të dalë.

-Ku?

-E shihni se çfarë ndodhi atje në rrugë?

-Nuk është hera e parë, as do të jetë e fundit. A mos po të dhemb ty?

-Ndoshta...

Ajo u tërhoq nga dora e Bali Tuzit pa e përfunduar mendimin, kurse për Bali Tuzin ajo “ndoshta” iu bë enigmë.

-Ulu, - i tha. – Pusho njëherë e mandej, kur ta ndjesh veten të pushuar, mund të shkosh kah të duash dhe kur të duash. Kuptove?

Ajo nuk foli, veç u ul në të njëjtin vend të kanapesë, prapë me ato përpjekjet për t’i mbuluar gjunjët.

Bali Tuzi duke i ndenjur pranë dhe duke e shikuar sikur macja prenë, nga pozita e të qëndruarit në këmbë, ia lëshoi dorën mbi flokët e shprishura.

-Rri e qetë, pa frikë. Mund të rrish këtu sa të duash, do të kesh bukë e fjetje. Tashti dal dhe blej bukë. Mos ke merak. Ama, moj, më thuaj si e pate emrin?

-Tringa.

-Tringa?

-Po. Nëse nuk ju pëlqen, mundeni të mos më thërrisni me këtë emër...

-Unë i pranoj emrat ashtu sikur m’i thonë...

Ajo ia nguli sytë të kuptonte se a fliste për shaka, apo të vërtetën.

Me muaj të tëra nuk kishte hasur në ndonjë të tillë. Deri me atë ditë kishte përjetuar të zinjtë e ullirit. Tashti që hasi, siç mendonte, në vullnetin e një njeriu të mirë, do të mund t’i tregonte se cila ishte, prej nga vinte, çfarë mendonte të bënte, si e çmonte jetën në ikje, se ajo vërtetë në ikje ishte, por e kishte vështirë t’u rrëfehej të tjerëve se ia kishte druajtjen biografisë së vet të cilën as e kishte ndërmend t’ia rrëfente ndokujt gjer në fund. Kishte hall nga ajo biografi përmbajtja e së cilës ishte sajuar si nëpër thera, ose si me arna të qepura në mënyrë të çrregullt, me arna të huazuara nëpër ditë të lënduara nga të tjerët. Portreti i vet i ngjante në një statuje të lënë në mëshirën e shiut, borës, breshrit dhe erërave; statuje që i përballet pluhurit, baltës dhe shurrës së qenve. Derisa e kishte mendjen te statuja, e mendonte veten të ngrirë në natyrë, tek pret qenin që ngrit njërën këmbë dhe...

Po ky njeri që i qëndronte para sysh, që ia përkëdhelte flokët? Nuk kishte haber për të. I kishte trokitur në derë nga zori, derisa i ikte shikimit të mashkullit ndaj të cilit vazhdon të ketë mllef, andaj i ikën si era. Sapo ia ndjenë hukamën, sikur shndërrohet në leckë rruge që bartet nga era, duke mos ditur adresë të saktë se ku do të strehohej. Prandaj edhe trokitja në atë derë të asaj dhome ku gjendej e strukur mbi kanape duke mbuluar gjunjët cullake, s’ishte veç një kërkesë mëshire, për strehim të përkohshëm. Ishte tronditja ajo që e kishte nxitur të trokiste në dyer, në adresa të pa njohura, pa i vajtur mendja se do të ndodhte kjo që i ndodhi: në derë t’i dilte mashkulli, fytyrën e të cilit kurrë më parë nuk e kishte parë.

Kishte shpresuar të haste në ndonjë familje, ku do të ishte zonja e shtëpisë me fëmijët e bashkëshortin, se do t’i dilte përpara një tip i tillë burri, me jetë vetmitari, këtë nuk e kishte menduar... Nuk i kishte ndodhur të gjendej me ndonjë mashkull vetëm në dhomë dhe të flinte e qetë.

Durimi i Bali Tuzit i jepte shpresë për kapërcim të gjitha atyre të këqijave që i kishin ndodhur, për ikjet e vazhdueshme që i kishte pasur pikërisht nga ai mashkull që tani kush e di se në çfarë gjendje ishte në spital, për të cilin burri vetmitar as dinte gjë, as kishte kënd ta pyeste, kurse i dëshirohej të dilte deri në fund të shkallëve të pallatit, t’u bashkohej të tjerëve në trotuar dhe të mësonte se çfarë kishte ndodhur dhe kujt i kishte ndodhur ajo e keqe. Dhe kur i tha asaj se do të dilte të blinte bukë, në të vërtetë mendjen e kishte te ai i gjorë që bashkë me sirenën e autoambulancës, treti rrugës prapa pallatit, drejt klinikës emergjente.

-Rri e qetë, - e përsëriti urdhrin.

-Do të rri, - ia ktheu ajo atij dhe ia rrëmbeu dorën duke e mbështetur atë dorë në faqen e vet.

Ai ndjeu ngrohtësinë e faqeve të saja dhe i pëlqente t’i mbante gishtat të mbështetur në faqe. Mandej të numërojë vetë me vete, derisa e ngrohtësia e hasur në faqet e saj depërtonte lehtas në trupin e tij përmes gishtërinjve që, me ngadalë, nisen të lëvizin në formë përkëdhelëse. Numri i zgjati deri njëmbëdhjetë dhe këtë kohë të kaluar për aq sa numëroi njëmbëdhjetë e konsideroi si fitore, si hyrje në kopshtin e vullnetit të mirë...

Tërhoqi gishtërinjtë nga faqet në drejtim të flokëve. Ia shprishi një çik dhe me atë rast i erdhi mirë se ajo as kundërshtoi, as lëvizi andej-këndej, por e gjitha u shndërrua në një tkurrje që vjen nga lumturia, që zakonisht shprehet me buzëqeshje të sinqertë.

Lëvizja e gishtave nëpër faqe dhe flokë i dha shkas të përjetonte ardhjen e saj si të dëshirueshme, duke e lutur zotin, vetë me veti, që të mos trembej, domethënë që të qëndronte ajo edhe më gjatë, që të mos i bie në mend të largohej...

Njësoj mendonte edhe ajo, që ky farë burri i vetmuar të mos pendohej pse ia kishte hapur derë, që të mos shqetësohej me qëndrimin e saj të mëtutjeshëm në atë banesë, sepse tani ajo pos frikës së ndjekjes, e kishte edhe dhembjen që ia shfaq ndaj atij njeriu që vajti me autoambulancën. Në biografinë e saj ai njeri e kishte vendin e tij, por për mashkullin vetmitar çdo gjë rreth saj e ishte e panjohur, e errët...

-Do të rri e qetë! – vazhdoi ajo. Në të vërtetë këtë e tha si pa qëllim, sa për të thënë diçka, e në esencë mendonte të kërkonte leje nga ai që, për një kohë, atë banesë të tij ta shfrytëzonte si strehim, por për ta fituar besimin e tij, mendonte, do të duhej t’i rrëfehej gjerë e gjatë, t’ia rrëfente biografinë me të gjitha të ndodhurat rreth saj, bile t’i tregonte edhe aktin më tragjik që i kishte ndodhur e që, krejtësisht, ia kishte ndryshuar kahen e lëvizjeve në jetën e mbetur për ta jetuar në ikje...Por ajo ende nuk e kishte të qartë se kujt i ishte futur në shtëpi dhe kënd e kishte gënjyer se e kishte emrin Tringa. Bali Tuzi, pasi e kishte dëgjuar atë t’ia thoshte emrin Tringa, as e kishte pyetur tjetër. Me gjasë, as e kishte ndërmend ta pyeste, duke shpresuar se ajo fisnike do të largohej shumë shpejtë nga banesa e tij.

Ajo fisnike me gjithë shpresën e tjetrit, nuk u largua as atë ditë, as të nesërmen, të pasnesërmen, as atë javë, madje as gjatë tërë muajit. Ndenji në atë banesë, duke u kujdesur të mos pengonte me asgjë. Krejtësisht ia ndërroi pamjen asaj banese, duke i vënë gjërat në vendin e tyre, duke pastruar për çdo ditë, sidomos kur Bali Tuzi dilte nga banesa për të bërë tregti, për të blerë gjërat ushqimore. Ajo pastaj në vetmeve ngjalli një shprehi, atë të lexueses. Duke mos pasur ç’të bënte dhe duke mbetur e heshtur në kohën kur Bali Tuzi i falej leximit ose shkrimit në kompjuter, Tringa kërkoi nga Bali zi t’ia gjente ndonjë libër për lexim, kurse Baliu jo vetëm që ia gjeti një libër të përshtatshëm dhe ajo nisi ta lexojë me kureshtje duke iu shtuar ajo kureshtje gjithnjë e më shumë, por në ndërkohë u pajtua edhe me këshillën e Bali Tuzit që të mësonte të punonte me kompjuter dhe me futjen në internet. Brenda asaj kohe të qëndrimit në atë banesë, Tringa përfitoi përvojë tjetër fare nga ajo përvojë e hidhur ditëve, muajve e viteve të mëparshme të jetës. Edhe për Bali Tuzin prania e saj aq e heshtur në atë banesë kishte një domethënie e kuptim të pa përjetuar gjer me atë kohë.

Siç ishte krejt e pa pritur ardhja e saj dhe ajo kohë e kaluar me të pa njohurën, njësoj e pa pritur ishte edhe largimi i saj gjatë një nate të errët, me një shi të imtë. Ndodhi largimi pasi që, në ambientin e vetëshërbimit të asaj lagje, ishte folur për një njeri që e kërkonte një femër dhe ai njeri ishte pikërisht ai i aksidentit të ndodhur një muaj më parë i cili, për një kohë, ishte kuruar në klinikë dhe, pas kurimit, ishte kthyer në atë lagje të periferisë së qytetit të kërkonte femrën e humbur, në të vërtetë gruan e vet. Siç thoshin ata të vetëshërbimit ai qenka bindur se gruaja e tij ndodhka në atë lagje...

Për Bali Tuzin krejt kjo e dëgjuar në ambientet e vetëshërbimit të lagjes ishte më shumë se shqetësim.

-Fisnike, - i kishte thënë, - nuk di për kë është fjala, por ai që pati atë aksidentin, qenka shëruar dhe po e kërkuaka gruan vet.

[1] Falenderojmë autorin, z. Ibrahim Kadriu, që e ka dërguar prozën e mësipërme posaçërisht për revistën tonë – Redaksia e Haemus-it.