PËRPARIM XHIXHA: Ura mbi vete



Spaletat e gjeneralit

Inxhinierët kinezë, që ecnin njëri pas tjetrit, u futën te hotel-turizmi në qendër të qytetit. Era dukej sikur i tundte shtëpitë siç i lëkundin në mënyrë të kobshme tërmetet.
- Tani ulen e hanë pilaf me shkopinj! – tha Mevlani.
- E...he! – ia bëri Mexhiti, pa guxuar të thoshte asnjë fjalë komentuese. Ai e dinte
që dhe në gjumë të fliste përçart, fjalët e tij i merrte vesh dhe dreqi me të birin në cep të globit po të ishin.
Mexhit Muxhani hynte në takëmin e njerëzve që zoti u jep fatin e mençurisë dhe për çdo gjë tjetër i lë në mëshirë të vullnetit, karakterit, fatit a urrejtjes. Njerëz të tillë një fije peri i ndan nga lavdia e poshtërimi, më tepër prej atij shpirtëror.
- Këta kinezët s`na ngjisin fare! – i tha Mevlani me një ton urdhërues që
bashkëbiseduesi ta përsëriste dëshirën e tij: - Hiç fare!
Shiu binte me shtamba. Si vetëtimë verbuese ishte vështrimi i tij mbi fytyrën gjithë rrudha të Mevlanit i cili, nën një melodi të brendshme valsi, rrotullonte gotën e konjakut. Mexhiti la qindarkat në pëllëmbë kamerierit, i tundi lehtë dorën njeriut që kishte në tavolinë dhe iku.
- Ku vete? – foli i çuditur Mevlani, apo ke takim me ndonjë vejushë?!
Sa dinte koka e Mevlanit dinte bytha e Mexhitit. Duke çarë ngadalë mes shiut e shtrëngatës, hap mbas hapi i afrohej apartamentit të tij në periferi të qytetit, në lagjen “Klloçka e Madhe” ose “Çikago-City” siç e quanin disa djelmosha sypatrembur. Jeta aty notonte mes vuajtjes dhe gëzimit. Lindjet dhe vdekjet ishin përherë mes vesit e virtytit. Njeriu lindte e vdiste mes besimit e dyshimit vdekjeprurës dhe së fundmi mes pasigurisë ditore e të papriturave çudibërëse të së nesërmes. Gjashtëdhjetëvjeçari ecte dhe ndjente dhjetra qindra sy, nga prapa vitrinave e dritareve, ta ndiqnin me admirim, ashtu siç shumëkënd ta shante e shpotiste me rrënjë e me degë. Përveç njomëzakëve atë burrë e njihte i gjithë qyteti ngaqë, çdokush e dinte mirë që ishte njeriu që mbante minë me vete, e cila nga çasti në çast mund t`i shpërthente duke ia zhndrruar copën më të madhe të trupit në kokërr gruri. Me vete, nën zë, çdo banor i qytetit e quante Mexhit Armiku dhe shumica që e njihnin e i thoshnin një “mirmëngjes”. E kapte në eter atë ndjenjë të tejdukshme njerëzore të dhemshurisë dhe ndjente se këto përshëndetje majë buzëve ose thjesht tundje të lehta koke i jepnin fuqi jetës e shpresave të tij. I mbyturi s`ka qeder prej të lagurit, tha me vete, sikur donte t`u jepte përgjigje admiruesve që s`bzanin. Njeriu që s`di të protestojë s`mund të jetë kurrë i lirë. Po kështu dhe një popull. Duartrokitjet janë vetëm një marrëveshje e heshtur mes diktaturës dhe të shtypurve. I vetmi vritet menjëherë, po kur janë dy, dymijë, dyqindmijë e më shumë, nuk mund të vriten kurrë. Atëherë diktaturat tremben dhe janë gati të ndërrojnë lëkurë nëse turma e ha; në të kundërt tiranët i kthejnë potkonjtë diellit dhe mbyllet kapitulli i historisë së tyre. Asaj dite lindet liria që si çdo foshnjë do kujdesin e mëmës së vet që të rritet e shëndetshme, të forcohet e të bëhet pronë e shpresë e jetës së çdo njeriu. Trembet nga çka i vullkanizohej nën kafkë ndaj hap dhe mbyll vrullthi derën e apartamentit. Ndez dritën e korridorit kur sytë i ngrijnë te një zarf i shtyrë nën derë. Sërish trembet dhe dridhet. Merr zarfin në dorë, e sheh nga të dy anët, kqyr mjeshtërinë e kujdesin e mbylljes së tij dhe me përtesë e shtyn mbi tavolinë. “Ta ketë sjellë kush të dojë, nuk e hap sonte! Jam i lodhur, jam i dërrmuar” – tha me vete dhe nisi të përgadisë ndërresat për të bërë një dush me ujë gjysëm të ngrohtë. Qoftë dhe një çaj i nxehtë dukej sikur do t`ia ngrohte shpirtin dhe do t`ia largonte rreziqet që i kishin zbritur si Kali i Trojës mbyllur në një zarf të bardhë e të vogël, mbi të cilën mungonte adresa e marrësit apo dërguesit. “Marrësi jam unë” – tha gjithë zemëratë, kurse “Dërguesi është ai. Ka afro tridhjetë vjetë mbas meje! Si nuk u mërzit, si nuk u lodh, si nuk u çmend?!”
Pas dushit shtrihet për t`u prehur pakëz para darkës, por humbi në gjumë të thellë, i përhumbur nën një sillë të lagësht e të ftohtë e mes një ankthi që nuk e kuptonte nga hynte e dilte. Vetëm ca goditje të fuqishme me shkelma mbi derën hyrëse të apartamentit e sollën në vete. Vishet shpejt e shpejt dhe me vendosmëri të plotë i jep kurajë vetes: Le të vinë! Le të më vrasin! Një jetë, një vdekje! Dy askush s`ka mundur t`i bëjë... Hap derën dhe jashtë s`kishte asnjeri. Ul kokën i turpëruar nga vetja. “Ptuuuu, ke qenë dhe gjeneral pa le!sheh edhe ëndërra frikacakësh...”. Duke folur me vete merr zarfin, e vërtit nëpër duar pa guxuar ta hapte. “Më mirë nesër në mëngjes, vendosi. Dita ka shpresë tjetër. kurse nata i shton hallet. Dhe kur të zë një, ajo t`i bën dy menjëherë.”
Ngrohu një supë të gatuar para dy ditësh dhe më shumë mendohej se kapërdihej. “E kush guxon të më dërgojë mua letër?! – pyeste veten dhe po vetë përgjigjej: - Provokim ! hiç mos e vrit mendjen Mexhit Muxhani, provokim ! Siç duket ma kanë bërë gati qelinë...”
Në një çast fërgëlloi si fletë cigarje në erë. E mblodhi veten dhe shkumboi mjekrën. “Më mirë të jem gati si gjeneral, jo si leckaman!” veshi këmishën e bardhë që e ruante për raste tepër të rralla dhe çeli me kujdes kanatet e dollapit ku mbante xhaketën e tij magjike ose shkurt – xhaketën e gjeneralit me gjithë spaleta. Me shpejtësinë e mendimit i kaluan mijëra fytyra partizanësh, shokësh e miqsh, fshatarë, shoferë dhe ekskavatoristë nga Hoxhara, berberë që e pyesnin vazhdimisht, kamarierë që e linin mënunë buzë tavolinës dhe iknin sikur ai të ishte me zgjebe; truproja të veshur shik, portrete pilotësh e gardistësh, mes tyre dhe një burrë i gjatë, i pashëm, me sy të mëdhenj si fajkua dhe fytyrë të murrëtyer që i thotë me zë të trashë e egërsi: « Unë ika Mexhit, por ty s`të lë të vdesësh i qetë. Ishim shokë, por ti më tradhtove.” Jooooooo! Ti më tradhtove mua, bubulliu Mexhit Muxhani, duke harruar se ishte fillikat. Sa heshti ai, Burri i Gjatë me zërin kumbues i thotë prerë: « Unë thashë të hiqeshin gradat, kurse ti e fshehe kostumin e gjeneralit në dollap të shtëpisë, sepse prisje të bëje grusht shteti dhe ta vishje prapë uniformën e gjeneralit. Ika Mexhit, por atë uniformë nuk ke për ta gëzuar kurrë më! »
Po shihte ëndrra me sy hapur. Shtrëngonte kapakët e syve që ta trembte ëndrrën në qiell nga kishte ardhur, por për dreq ajo iu qep keqas dhe nuk i shqitej nga përfytyrimet. Iu bë sikur në qytet nisën të bien meteorë të mëdhenj që përvëlonin gjithçka, madje dhe kinezët atje në aneksin e turizmit që vazhdonin të hanin pilaf me shkopinjtë e tyre të çuditshëm. Përgjithçka i erdhi keq, u trishtua. Por atë që i erdhi në mendje e bëri. Veshi xhaketën e gjeneralit, vuri kapelen dhe qëndroi kundruall pasqyrës. Qeshi me vete dhe i tha nën zë fantazmës së Burrit të gjatë: - Jo unë, por ti më tradhëtove! Humbe logjikën dhe vure një gjeneral të numëronte makinat që ngarkoheshin e shkarkoheshin në Hoxhare. Fati im u bë fati i kombit, o njeri!
U shtri siç ishte për t`u prehur në krahët e meditimeve nostalgjike dhe si një fëmijë i pafajshëm e kishte zënë gjumi i thellë e i rëndë. Vetmia të çmend, këtë e thoshte shpesh që kur ishte ndarë nga e ndjera Leila Qelzezi, grua fisnike që e kishte dashuruar marrëzisht burrin e vet. Mbase dhe vdekjen t`ia kishte sjellë para kohe trishtimi legjendar i të shoqit, të cilin, tek rrinte në shtëpi, e zinte gjumi gjithnjë me sy me lot. Dhimbjen e bluante në mullirin e vet pa thënë asnjë fjalë. Pa u ankuar kurrë. Guxoi dhe e hapi zarfin...
“....I shtrenjtë Babush! Te përqafoj. Malli për ty dhe trishtimi për nënën që nuk e kemi po më bluan kockën në të gjithë trupin. Por Sajmiri, djali me të cilin, babi, kam ndarë fatin, po ma ndryshon jetën. Këtë zarf ai ta futi nën derë sepse donim të të njoftonim se tani e tutje ne jemi bashkë! Familja e Saimirit ju do dhe ju respekton, por me thënë të drejtën kanë druajtje të vinë, të hyjnë e të dalin në shtëpinë tuaj. (Në shtëpinë tuaj! – përsëriti fjalët e së bijës dhe nuk i mbajti lotët.) Unë jam e lumtur që jam vajza e një prindi si Ty. Ndihem gjithashtu e lumtur që kam një njeri të dashur si Saimiri. Ndihem vërtet e gëzuar dhe krenare siç më ke mësuar. Zana ka dy javë që ka lindur djalë. U bëre me një nip më shumë. Kurse Flutura ka qenë dy muaj në spital, me anemi të theksuar. Vilsoni është i mrekullueshëm. Kujdeset për time motër në mënyrën më të mundshme të mundur. Ka dalë nga spitali dhe është me raport në shtëpi. Të duam shumë shumë shumë. Më mirë të jemi larg njëri-tjetrit por gjallë. Duke qenë larg nuk e xhelozojmë politikën. Të puth e të përqafon fort fort fort Zana! »
Ndjeu një sëmbim në kraharor ndaj hodhi një gllënkë raki para se të nxitonte për në punë. Por më parë puthi letrën, e bëri shuk dhe i vuri shkrepsen. Hirin e derdhi në shkarkuesin e tualetit. Ishte regjur me të keqen dhe i ruhej asaj një shekull drite larg. Vëmendja e tij stoike ia kishte prerë duart Burrit të Gjatë që të mos bënte masakër mbi jetën dhe trupin e gjeneralit. Të arrish të jetosh përballë atij që të do vdekjen është një sprovë se ti je njeri me virtyte të larta dhe me një edukim klasik të llojit të parë. Kishin kaluar shumë vite sprovat e mbijetesës dhe ishin bërë mënyrë jetese e e Mexhit Muxhanit. Atij nuk i lejohej të gabonte kurrë megjithëse e gjithë bota thotë të njëjtën gjë, vetëm i vdekuri nuk gabon. Por vërtet ai nuk gabonte kurrë edhe pse ishte gjallë. Kështu kaloi një ditë e një vit, dy ditë dhe njëzet vjet. Më shumë thuaj! Sa më shumë i afrohej ditës së pensionit dhe kohës së pleqërisë aq më shumë kujdesej se do ta mbyllte jetën pa ia menderosur atë, duke shëtitur nga një birucë tek tjetra, nga një sallë gjegji tek një kamp të burgosurish. Jeta, mendonte gjithnjë, në faqe të diellit etë punës është normale. Ai që është i zoti edhe në majë të gjembit të jetë di ta bëjë jetën të gëzuar ose të paktën sa t`i përshtatet atij....
Sapo hynte vjeshta, Mexit Mullani e kish bërë zakon, kurdo të kthehej nga puna nuk dilte më nga shtëpia. Nata i merrte shumë ditës dhe ky fenomen natyror e trembte disi, nuk i pëlqente në mëhallën “Klloçka e Madhe”. Nata është e ligë, thoshte gjithmonë. Hera herës e rrëmbente dëshira për të shkruar kujtimet, por kjo i dukej punë vetëvrasëse. Libri të mbron nga vetmia siç mund të të mbrojë një shok i vërtetë në luftë.......
Ditët e djela i kalonte duke fshirë e larë ose siç i quante ai “punët e ushtarit” si një amvisë e mirë. Por shtëpia e tij nuk kishte asnjëherë vizitorë, sepse askujt nuk i ishte mërzitur jeta. Dhe ja, erdhi rasti fatlum. Dera troket lehtë plot mirësjellje. Ai, i gëzuar e hap menjëherë. Përballë tij tre burra, njëri në mes të jetës, dy të tjerët të rinj. Pa marrë lejë dhe pa dhënë asnjë shpjegim futen brenda dhe urdhërojnë të zotin e shtëpisë të mos lëvizë.
- Çfarë kërkon? – guxoi të pyesë.
- Mos u mërzit! Do ta tregojmë ne...
Dy të rinjtë e futën në mes duke mos e lënë të marrë as frymë. I treti e ktheu shtëpinë përmbys. Mexhiti, i bërë meit në fytyrë, e ndiqte me sy. Ai hapi dollapin e rrobave dhe pas një minute i tundi para syve xhaketën e uniformës së gjeneralit. Më pas kapelen, të re, të bukur. Kapele gjenerali!
- Po pantallonat ku i ke?
- Pantallonat?! Ato i kam veshur kur punoja në Hoxhare derisa u grisën.... Edhe ju e dini se rrobat grisen...
- Po ushtrinë ku e ke gjeneral?
- Urdhëro?
- Do vish me ne për ca sqarime...
Dhe sqarimet vazhduan për shtatë vjet radhazi. Por unë vazhdoja ta quaja gjeneral dhe pasi u kthye nga burgu. Një ditë tek pinim një gotë raki në shtëpinë e mbesës së tij në Tiranë, e pyeta:
- Gjeneral, si mendon? Nëse bëhet një ditë një muze ndërkombëtar i krimeve të komunizmit ku mund ta kishte selinë?
E kuptoi nënkuptimin tim por nuk ishte dakord. Nuk foli veçse mori gotën, e çukiti me timen dhe më tha: Gëzuar or mik! Pastaj e ngacmova përsëri: Po xhaketën tuaj të gjeneralit a duhet ta ketë ky muze?
- Jo kështu, jo kështu, miku im. – foli plot trishtim dhe ngadalë. – Tani e tutje mos harxhoni energji për të kaluarën. Nëse jeni të zotë luftoni për të ardhmen.