VINÇENX GOLLETTI BAFFA: Ç'është demokracia...


Në qytetin gjerman me tradita kulturore evropiane Heidelberg, jetoi dhe krijoi arbëreshi i madh Vinçenx Golletti Baffa (1924-2009), lindur në Çivit, njëri nga bashkëpuntorët kryesorë dhe mbështetësit e parë të Revistës "Haemus". Dekoratat, çmimet apo mirënjohjet zyrtare e "humbën" me kast udhën që çonte drejt tij. Shpërfillje e rëndomtë, të cilën, për fat të keq, një segment i botës shqipfolëse (jo vetëm pjesa zyrtare) e përdor me një shkathtësi të zymtë e me aq zell, sa ke përshtypjen se s'ka ndërmend të heqë dorë ndonjëherë...
Por heshtja nuk ia doli dot mbanë ta ligështonte e ca më pak ta pengonte doktor Gollettin që të ishte njëherazi dhe në të njëjtin nivel shkrimtar, mendimtar, sociolog, pamfletar, botues e adhurues i përkushtuar i kombit nga i cili rrjedh. E dihet se përkushtimet e këtij lloji, ashtu si aq të vërtetat që shpreh e zbërthen pena e këtij mëshërimi të gjallë të Arbërit, pasohen nga pezme të shumta. Jetëshkrimi i doktor Gollettit është tejet i begatë dhe befasues, si i çdo shqiptari të vërtetë. Kjo pasuri e madhe shpirtërore dhe intelektuale, por sidomos nderimi ndaj veprës së tij, përbën edhe shtysën e natyrshme për ribotimin e esesë së mëposhtme, që do të pasohet në të ardhmen nga të tjera, në shqip e rumanisht.
HAEMUS

Ç’është demokracia
(Disputatio suberudita)

“Zotrote mund të më fajësosh njëqind e njëzet e katër herë për naivitetin tim të përgjithshëm - filloi Krexja Muriqit - por unë kam gjithë kohën një pyetje në thelbin më të thellë të zemrës sime. Vazhdimisht unë pyes veten time: Ç’është demokracia? Pse ka falimentuar demokracia në Itali? Pse ka pasur sukses demokracia në Gjermani? Ç’do të ndodhë në Ballkan e sidomos në Shqipëri, për sa i përket demokracisë? A është pyetja ime pa vend? A jam unë një njeri që do të dijë edhe teprinë? Një grua që bën pothuaj vetëm pyetje që nuk janë aq të përshtatshme? Me ju mund të flitet haptas e ju me siguri më kuptoni mua... E ëma e mëmajetrës sime më tregonte shumë herë gjëra interesante për mëmajetrën tuaj, për zonjën Llizë, e mëmajetra më foli çdoherë bukur për mëmën tuaj... Zonjën Ermelindë...” e, duke lexuar mendimet e mia: “Jo, jo, këto s’janë lëvdata të tepruara ose formale, jo. Sot jeta, me sa duket, s’është më si një herë, e kështu ata që kultivojnë arbërishten janë për mua njerëz të cilëvet unë u zë besë...”
Bisedën Krexja e kishte filluar me vendosmëri dhe e kishte vazhduar atë me këmbëngulje logjike. Si grua e pjekur e energjike - pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë vjeçare? - dinte shumë mirë ç’donte, e pra kishte shkëmbyer shpeshherë mëse dy fjalë me mua e mund të thuhej se njiheshim relativisht mirë. Në çdo rast, dua të theksoj se karakterin e saj unë e çmoja lart e gëzohesh kur e takoja.

“Kam hare të dëgjoj këto vërejtje nga ti, o Krexe, sepse erdhi koha, më në fund! të zgjohemi të gjithë politikisht. Para krizës demokristiane në Itali dyshimi politik nuk ishte shumë i përshtatshëm: italiani normal nuk kishte fare nge të dëgjonte fjalë kritike apo skeptike: mirëqënia ekonomike i kishte ndryshuar atij karakterin, e vetëm i varfri, domethënë vetëm ai që nuk kishte pasur sukses, nuk ishte i kënaqur e, për rrjedhim, kritikonte sistemin italian.”
“Ashtu, ahtu, pikërisht ashtu them edhe unë. Italiani gjysmë i kulturuar besonte me bindje absolute se ishte politikan i madh... e pra, të gjithë kemi fituar pesë e kemi ngrënë gjashtë.”
“Kjo është gjë normale: dehja publike është e lartë në vende të shumta, p.sh. në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Izrael e sot edhe në Gjermani etj. Por, për fat të mjerë, italiani ka fituar pesë e ka ngrënë tetë, nëntë e edhe më shumë, duke besuar se kjo ishte politika më e mirë. Çdo ndryshesë është një revolucion me shumë sakrifica për disa qytetarë, e nuk e di a do ta bëjë italiani këtë revolucion... moral për të dalë nga kriza financiare e shtetit?”
“Më duket se thatë fjalën e përshtatshme: italianit i nevojitet një revolucion moral, nëse do të dalë nga kriza financiare. Natyrisht, jo vetëm italianit... se një revolucion i tillë u nevojitet shumë vendevet të tjera... për .shëmbull ... Shqipërisë, Rusisë, Serbisë etj.”
“Ke të drejtë, o Krexe, po mos harro se në ca vende nevoja është më e fortë dhe më e ngutshme. E - pra është mirë ta them hapur idenë time - unë nuk kërkoj moralizimin e plotë të jetës. Me shprehjen revolucion moral unë propozoj, në një mënyrë modeste, pakësimin e imoralitetit në politikën e brendshme e në të jashtmen. E, me të vërtetë, reduktimi i egoizmit më të verbër na mjafton, na stërmjafton neve. Egoizmi është ndjenjë e natyrshme për foshnjën, për fëmijën. Por, fëmija, kur zë fill e kupton jetën, sheh se ka edhe njerëz të tjerë tek familja e tek shoqëria e, rrjedhimisht, ekzistenca e tij individuale s’është më e mira unike dhe absolute. E kështu fillon, shpeshherë, zhvillimi i altruizmit, domethënë lindja e moralit.
Zhvillimi i altruizmit është, vetëkuptohet, shumë i ngadalshëm dhe pengesat nuk i mungojnë kurrë këtij zhvillimi, për shëmbull sjellja e keqe e njerëzvet të tjerë. Por, mungesa absolute e altruizmit (ose e moralit) shpjegohet sipas mendimit tim sidomos me një formë të rëndë infantilizmi: krimineli është psikikisht i nënzhvilluar ose zhvillimi i tij psikik është i njëanshëm ose anë të ndryshme dhe të rëndësishme të personalitetit s’u zhvilluan rregullisht.”
E Krexja e Muriqit: “Nëse çështja është si thoni ju, infantilizmi, sipas përvojës sime, është shumë, shumë i përhapur. Mirëpo, a është infantilizmi çdoherë negativ e vetëm negativ?”
“Gjëra vërtet negative e vetëm negative (ose pozitive) s’ka në jetë, duke kujtuar se algjebra me numrin negativ ose pozitiv është shpikje e mirëfilltë ashtu si mbarë matematika.”
“Një fjalë për dualizmin mirëkeq e dëgjoja me hare. Përvoja konkrete na mëson se shumë herë në jetë nuk mund të dallohet me saktësi e mira nga e keqja e se skepticizmi shpesh herë është me vend. Fëmija, për shëmbull, nuk e dallon me lehtësi të mirën nga e keqja, edhe i rrituri me vullnet të dobët, ai që drogohet e shumë njerëz të tjerë. Mos kemi thuajse kudo ndonjë formë infantilizmi? E sa herë sjellja e ca shqiptarëvet, sjellja e ca ballkanasvet, e rusëvet komunistë, e gjermanëvet në kohën e Kaiserit e të Schicklgruberit etj më detyron mua të besoj se naiviteti i tyre në rrethana të ndryshme të jetës është tejet i madh e, shpeshherë, i pabesueshëm për neve sot? A s’është ky infantilizëm i mirëfilltë?”
Këtu isha po të merrja fjalën unë, por Krexja, me ngadalësi të menduar dhe të peshuar: “E mira... e keqja...” rifilloi menjëherë: “E bukura, e...” duke përbluar mendimet në kokë: “e...” Po pra, sikur një ide e re e më interesante, më e rëndësishme i kishte hapur mendjen:“Ç’janë këto kontraste manikeike? Që kur isha shumë e re vura në dyshim këtë dualizëm absolut dhe pothuaj të dëshpëruar: sa herë mendova se sistemi i dualizmit të tepruar është shumë i përshtatshëm për ata që komandojnë e, për të komanduar më mirë, duan të kontrollojmë tërë jetën e njerëzvet e kurdisin gracka për nënshtetasit.” U binda edhe një herë se Krexja kishte jetën e vet shpirtërore e se këtë ajo e jetonte me gjallëri, me bindje e me vetëdije, kurse shumica e njerëzvet normalë i venë pas dubdabit, thotë çivitjoti, si bëjnë dhentë. E ç’është dubdabi kryesor i sotëm? Televizioni me shumë programe të lehta të marra ose të kopjuara nga Amerika, moda e tepruar, politikani pa seriozitet që flet në përgjithësi duke treguar gjëra të vetëkuptueshme, fetari pa skrupuj që u premton çdo të mirë kohortavet të varfra të popullsivet në tërë rruzullin botëror, sepse varfëria materiale shoqërohet me injorancën e me varfërinë mendore...Krexja u largua njëherë e mirë nga varfëria mendore e përpiqet e përpiqet të kuptojë atë që dëgjon e, për rrjedhim, problemet i thellon e të ndihmon t’i thellosh problemet:
“Me ca çështje s’jam marrë kohën e fundit. Por tani që dëgjova shprehjen tuaj revolucion moral, trutë sikur po më hapen e, pak nga pak, më dalin në dritë mendime të vjetra që rrinin si të përgjumura në kokën time. Jeta e përditshme na detyron të mbajmë për të rëndësishme gjëra të vogla materiale duke vënë mënjanë çështjet kryesore të jetës.”
“Këtej del se bisedimi me njerëz të tjerë është me siguri qënësor për jetën e vërtetë dhe të plotë të individit. Gjuha, si u tha aq herë, është zhvillimi i mëtejshëm i informimit biologjik e përdoret edhe si mjet komunikimi, megjithse është punë shumë e vështirë të tejkalojmë momentin fillestar individual për të shkuar te një gjuhë që individi tjetër kupton plotësisht. Individualiteti gjuhësor arrin ca herë një trajtë karakteristike që na pëlqen e na rrëfen edhe gjëra e mendime që folësi (ose shkrimtari) nuk donte të tregonte. Biseda, dialogu ndërnjerëzor, përbën jetën më të lartë të njerëzvet, të cilët kështu mund të mbahen si qënie që materien e sublimojnë duke u hapur derë atyre formëve të ekzistencës që quhen shpirtërore, jomateriale.”
“Pikërisht ashtu. Shprehja juaj revolucion moral më çuditi mua në fillim. Aty për aty ajo m’u duk e drejtë dhe e përshtatshme. Por... tani jam duke menduar se fjala revolucion është shpërdoruar e neve nuk na thotë asgjë. Pra, kuptimi i sotëm i kësaj fjale është negativ e përmban patjetër konceptin e dhunës. Për këtë, e vetëm për këtë, ju shtuat mbiemrin moral, duke e theksuar atë.”
“Ke të drejtë, por mua nuk më erdhi mbi gjuhën time një fjalë më e mirë. Natyrisht, ka me siguri terma më të përshtatshme: mundësitë e gjuhës janë të pakufishme.”
“Ndoshta... ndoshta mund të përmendej filozofi Thomas Kuhn, i cili studioi revolucionet shkencore e foli për ndryshimin e paradigmavet. Ndëse largohemi nga shkenca, nga shkenca e mirëfilltë e marrim parasysh sjelljen e njeriut, mund të flasim për paradigmën morale. Shumë paradigma morale të praktikuara në jetën konkrete janë me të vërtetë imorale e ndryshimi i paradigmës morale do të përmbante në Italinë e sotme pakësimin e imoralitetit në sjelljen e përditshme të njerëzvet. E, nga ana tjetër, kush na garanton se ndryshimi i paradigmës në fushën e shkencës ose të sjelljes bëhet vërtet? Përvoja na mëson se ndryshimi bëhet sidomos me fjalë e se, shumë më vonë, pjesë të brezit të ri, eventualisht, ndryshojnë pjesë të sjelljes së tyre. Moda, kjo dihet, ndryshon gjithçka, por këto ndryshime i përkasin vetëm sjelljes sipërfaqësore e vetëm rrallëherë karakterit të individit. Kosovari që jeton sot, për shëmbull, në Zvicër, nuk tregon asnjë interesim të nxëjë ndonjë gjë nga demokracia zvicerane. Edhe ata që botojnë gazeta e revista injorojnë sistematikisht shtypin zviceran. Megjithatë unë jam e sigurt se në Zvicër brezi i ri shqiptar do të largohet fort nga zakonet e sotme shqiptare e do të zhvillojë, me gjasë, një racizëm primitiv zviceran...Mendime të tilla ju i keni shprehur aq herë...e, përveç kësaj, s’duhet harruar se ende pak kohë më parë gjermani që kishte luftuar kundër Schicklgruberit, ishte tradhtar i keq e pësoi shumë vështirësi në Gjermaninë e Bonnit, kurse sot shumë fillojnë të besojnë se tradhtari i vërtetë qe Schicklgruberi...se politika paqësore e imperializmi ekonomik kanë në kohën tonë më shumë sukses se imperializmi allaschicklgruberçe, allastalinçe ose allaserba.”
“Ti o Krexe kujton idetë që unë shpreh aty për aty, kurse unë harroj ca mendime të vjetra ose shkoj me lehtësi te mendime të reja. Sot pesimizmi yt mua më duket tepër i fortë. Sot nuk kam vështirësi të mendoj se edhe karakteri i njeriut ndryshon, po pak nga pak e në një mënyrë që i përshtatet jetesës materiale të shoqërisë. Njeriu që jeton në luks nuk është shumë i gatshëm të veprojë si trim.”
“Mirë, - m’u përgjigj Krexja, - por, kur fillon jeta luksoze? E pse Homeri njeh trima e njerëz si Paridi? Luksi është me rëndësi për karakterin e njeriut, e unë njoh shumë të rinj e shumë të reja që nuk duan të punojnë deri më sot se mëma e tata kanë bërë gjithçka për ta, e tani ata po presin një vend pune shumë të mirë me pak punë e me një rrogë të majme. Kurse ne, ne bëmë çdo punë e ishim të kënaqura, e jetën e njohim më mirë e jemi edhe më të forta.”
“Jeta konkrete e njeriut, nëse mendohemi për ngjarjet e përditshme, nuk njeh asnjë rregull të sigurt e luksi, sidomos luksi, varet nga mentaliteti, nga kënaqësia jonë e brendshme e nga vetëdija jonë. Kush jeton në luks e nuk do të dijë se ka njerëz të tjerë që punojnë më shumë e më mirë se ai vetë, luksin nuk e meriton, sepse edhe luksi duhet merituar.”
“E luksin e meriton ai që me veprimtarinë e përditshme pasurinë e vet e shfrytëzon racionalisht dhe e zmadhon e u jep, kështu, pasuri relative edhe njerëzvet të tjerë. Përndryshe infantilizmi...”
“Ndoshta unë çështjen e infantilizmit e teproj. Edhe kjo duhet mbajtur si e mundshme. Por, ti Krexe, mos harro se njerëz të tjerë të Evropës Perëndimore flasin kështu për Italinë e nuk mund të kuptojnë sepse çdo dhjetë muaj i nevojitet Italisë një qeveri e re, pse Vatikani është aq i fortë politikisht në Itali, pse ca zona të vendit janë aq të begata e zona të tjera aq të varfra, pse mafia, domethënë kriminaliteti i organizuar, është aq e fortë në Itali.”
“Këto pyetje s’janë gjë tjetër veçse pjesë të veçanta të pyetjes sime të parë për falimentimin e demokracisë në Itali.”
“Demokracia në Itali... me të vërtetë, kjo ishte pyetja jote e parë, natyrisht, duke përmendur edhe Shqipërinë, Kosovën etj: e unë këtë e kisha harruar... Eksperimenti demokratik dështoi në Itali se... se... ndoshta është mirë të kujtohej se demokracia ka sukses kur njerëzit më nismëtarë dinë se ç’është kjo demokraci. Po, ç’është, në thelb demokracia? Mund të thuhet se kusht i parë i sistemit demokratik është kufizimi kohor i pushtetit politik: kush fiton zgjedhjet, merr pushtetin vetëm për një kohë të caktuar. Pastaj organizohen zgjedhjet e reja. Me siguri, ky është kusht themelor i sistemit demokratik. Kushti i dytë, por jo më pak i rëndësishëm, është veprimi i qeverisë sipas ligjevet në fuqi. Kush qeveris, pushteti ekzekutiv, mund të bëjë vetëm atë që e lejon ligji në fuqi, e ligjet i përpunon e i jep vetëm parlamenti, i cili përbëhet nga politikanët e zgjedhur nga qytetarët e mban, kështu, pushtetin legjislativ ose ligjdhënës. Me fjalë të tjera, kush fiton zgjedhjet merr në dorë vetëm pushtetin ekzekutiv e zbaton ligjet në fuqi. Pushtetin ligjdhënës e ka parlamenti, siç thamë, e pushtetin gjyqësor e kanë organe të veçanta të pavarura, sipas teorisë, nga qeveria e nga parlamenti. Kjo është teoria e kjo teori duhet zbatuar, së paku nga dukja.”
E këtu Krexja: “Këto kushte Italia pasfashiste i ka plotësuar apo jo?”
“Qeveritarët demokristianë të Italisë këto kushte i plotësuan nga dukja, sepse i pari kusht, qarkullimi i pushtetit, alternimi, ndërrimi me radhë i pushtetit ekzekutiv në praktikë nuk ekzistonte e nuk mund të ekzistonte. Një opozitë të fortë e të rrezikshme për demokristianët e kompani, një opozitë që ishte eventualisht në gjendje ta merrte pushtetin ekzekutiv, Italia pasfashiste nuk e njohu kurrë, për fat të keq. Partia Komuniste Italiane këtë e dinte shumë mirë e, kështu, filloi sa më parë të predikonte kompromisin historik, domethënë bashkëpunimin me demokristianët sipas porosisë së rreptë të shokut Stalin dhe të mëkëmbësit të tij në Itali: Togliatti, që në fillim, i sapoardhur nga Bashkimi Sovjetik, Quhej Ercole Ercoli. Kjo situatë e papërsëritur në histori, dobësoi dhe ligështoi demokracinë italiane dhe e shndërroi atë në një regjim me gjithë pluralitetin e partivet politike. Përveç kësaj, ndihma e plotë e pa kushte, domethënë bekimi i shenjtë i Vatikanit, e fuqizoi pra sistemin italian, ashtu si në kohën fashiste. E kështu, partia demokristiane gjeti kudo e çdoherë aleatë duke u dhënë atyre një pjesë të vogël të pushtetit ekonomik e të përgjegjësisë politike. Kjo metodë është afirmuar bukur për shumë vjet. Qarkullimi demokratik u bë brenda partivet për një pjesë të ministravet e çdo dhjetë muaj, mesatarisht, nevojitej një qeveri e re. Duhet theksuar edhe fakti se vendet e tjera evropiane e kuptuan sa më parë sistemin italian dhe u gëzuan sepse kështu në fushën e politikës ndërkombëtare Italia praktikisht nuk ekzistonte. Lufta politike bëhej brenda partisë demokristiane dhe ishte luftë për ta ruajtur ose për ta zënë poltronën në një ministri ose në një ndërmarrje që fashizmi kishte shtetëzuar. Partitë e tjera, në vend të parë partia komuniste, ushqenin të njëjtën bindje: pa partinë demokristiane, e cila, siç u tha, gëzonte ndihmën absolute të Vatikanit, nuk mund të bëhet asgjë në Itali. Kjo na shpjegon pse Italia demokratike u administrua aq bukur për shumë vjet e pra pse kriza sot është aq e rëndë. Politikani demokristian bëri atë që i pëlqente atij e jetoi përherë dita ditës. Papërvoja politike e kohortave të gjera të popullsisë ndihu fort çdo intrigant e, me kalimin e kohës, edhe ca kriminelë vulgarë. Administratat, burokracia e aparati gjyqësor bashkëpunuan shpesh përzemërsisht me pushtetin ekzekutiv vjet me radhë. Kushtetuta demokratike mbeti pa vlerë shumë gjatë e kur u zbatua, u bë përherë sipas dëshirës së një qeverie që njihte vetëm centralizmin absolut. Financat e shtetit u rregulluan shumë bukur me kredi. E sot, nëse më kujtohet mirë, debia publike përbën 128% të të ardhuravet vjetore. Por këto janë gjëra shumë të njohura. Natyrisht, është për të shpresuar se italiani pak nga pak largohet nga rruga e keqe e se njerëz seriozë marrin më në fund në dorë pushtetin.”
“E... a mendoni ju se në këtë mënyrë shpjegohet mjaftueshëm dështimi i demokracisë në Itali, apo...”
“As jeta jonë, as shkencat e përpikta nuk njohin shpjegime përfundimtare. Çdo shpjegim i mirë duhet mbajtur si përpjekje për shpjegim e duhet të shërbejë si pikënisje, si instrument për të thelluar hulumtimet tona. Shpjegimet përfundimtare t’ia lemë teologjisë, psikanalizës dogmatike etj. Kush synon jetën politike të Italisë duhet të marrë parasysh ca fakte historike dhe praktike. Shumë njerëz harrojnë se shtetet italiane pas lëvizjes kulturore të humanizmit dhe të rinascimentos u shndërruan, me hare të Vatikanit, në koloni të mirëfillta të fuqivet të mëdha evropiane, e, siç dihet, një koloni administrohet çdoherë shumë bukur për të mirën e shtetit pushtues. Italia moderne u lind në shekullin XIX kundër dëshirës së Vatikanit, po, për fat të mjerë, Italia moderne ende nuk është larguar nga sistemet administrore të së kaluarës: Italia është sot vendi i letrës me stemë, vendi me një administratë e cila demokracinë e vërtetë nuk do ta njohë. Pas luftës së dytë botërore qytetarë të huaj me miliona shkuan në Itali nga vende të përparuara e patën mundësi konkrete të bindeshin se prapambetja administrore demokracinë nuk e lejon në Itali. Për këtë i huaji thotë, me shprehje eufemistike, se Italia është shtet konservator, por, në të vërtetë, ai mendon keq, edhe shumë keq për Italinë: vendi i letrës me stemë e i burokracisë sovrane, vendi ku shërbimi postar nuk punon mirë, vendi ku kriminaliteti shpeshherë ligjësohet në një mënyrë ose...”
“Keni të drejtë: neve na nevojitet njëfarë revolucioni moral kundër egoizmit të verbër që e sundon sot Italinë, ashtu si thamë më lart, e unë jam duke menduar, - vërejti Krexja e Muriqit, - se është vërtet mirë për shqiptarët të dinë se ç’po ndodh në vendet e tjera evropiane. Ata duhet të nxënë shumë në fushën e politikës e pra s’ka mësuese më të mirë se jeta vetë. A mendoni ju se demokracia do të afirmohet në Shqipëri?”
“Demokracia formale tashmë u afirmua, kështu besoj unë, në Shqipëri; por kjo nuk mjafton: nevojitet demokracia e vërtetë e cila bëhet ditë për ditë në administratat lokale e në jetën konkrete të përditshme...”
“E atëherë, nëse i kuptova mirë fjalët tuaja, alternimi, ndërrimi ose këmbimi i administruesvet, ekzistenca e një opozite, ndarja e pushtetit ekzekutiv nga pushteti legjislativ e nga organet gjyqësore mund të jenë vetëm gjëra fotmale me pak, shumë pak vlera praktike, mund të jenë gjëra sipërfaqësore... Shpjegimi i demokracisë lyp sqarime më të thella, si pothuaj çdo fenomen i jetës.”
“Duke folur harrojmë ngandonjëherë çështjen kryesore e largohemi pak nga pak nga problemi themelor. Për Italinë e sotme kisha formuluar shprehjen revolucion moral, por unë nuk dua t’u flas italianëvet. Jo, jo! Fjala ime i drejtohet në vend të parë shqiptarit. Dua të theksoj faktin se shqiptari duhet të merret seriozisht me ngjarjet politike të kohës sonë, duhet t’i kuptojë mirë ato, duhet të largohet njëherë e mirë nga diletantizmi, duhet të dëgjojë edhe opinione të tjera e duhet të nxëjë të kritikojë mendimet e veta... Unë personalisht nuk dua të luaj rolin e mësuesit politik: një gjë e tillë nuk është e mundshme, sepse në jetë çdokush duhet të jetë mësuesi i vetvetes. Këto fjalë unë i them për një arsye shumë të thjeshtë: jam arbëresh e më pëlqen të flas e të shkruaj arbërisht ose shqip se arbërishtja është ushqimi im mendor i parë nga rëndësia. Për ta përcaktuar më me saktësi punën, unë flas e shkruaj arbërisht për mua, por s’është shumë keq, nëse ndonjë arbëresh (ose ndonjë shqiptar) më lexon mua. Pastaj, eventualisht, edhe shëmbulli i Bashkimit Sovjetik, ndjesë pastë!, shëmbulli i enverhoxhianëvet etj. E kush dënon, bie fjala, Italinë, Bashkimin Sovjetik etj pa analizuar saktësisht gabimet e pushtetarëvet të këtyre vendeve, kush i dënon ato në bllok e në masë, harron se një epokë e tërë historike s’mund të zhduket e bën vetëm demagogji për kohortat e popullit që ende s’dinë, për arsye historike, se ç’është politika. Me një fjalë, revolucioni im moral na thotë një gjë e vetëm një gjë: një grup njerëzish, i vogël ose i madh, për shëmbull Lichtensteini ose Kina, nuk mund të ketë sukses nëse nuk organizohet në një mënyrë racionale e praktike. E mënyra racionale e praktike parashikon sjelljen morale, qëndrimin altruistik tek një pjesë jo shumë e vogël e popullsisë.”
“E ky është, me siguri, burimi i parë i sistemit demokratik! E sistemi demokratik nuk mund të afirmohet fare, kur bashkëbisedimi nuk praktikohet rregullisht në çdo fushë të jetës. E, pra, sistemi demokratik nuk njeh as armiq as miq: çdo qytetar që nuk do të shkatërrojë qëllimisht sistemin, është koleg i dashur në luftën fisnike dhe bujare të politikës, e shprehje keqësuese allaleninçe politikani demokrat zakonisht nuk do t’i përdorë. Këtë e bën, nëse nevojitet vërtet, shkrimtari i lirë e pa asnjë detyrim politik. Edhe lëvdata të shumta e të tepruara nuk janë aq të përshtatshme në sistemin demokratik: politikani i madh i sotëm do të jetë nesër qytetar normal pa privilegje, përndryshe demokracinë vendi në fjalë ende nuk e njeh.”
“E për Sali Berishën ju thatë se ai është akrobat hipik, desultor, siç quhej në Romën e lashtë. A e konfirmoni edhe sot këtë mendim apo, me sa duket, ca formulime tuaja janë me vlerë... provokuese... për të parë a lejohet kritika në Shqipërinë e sotme?”
Këtu qesha gjatë, shumë gjatë e fort e, si thotë arbëreshi, me gjithë çauçan. Edhe Krexja Muriqit qeshi me gjithë zemër. “Më lart thashë hapur se unë flas e shkruaj arbërisht e shqip për vetveten. Dua të besoj, o Krexe, se ti më kupton mua. S’kam vështirësi të them se Sali Berishën unë e çmoj lart e se Shqipëria ka nevojë sot për një njeri të tillë, por edhe ai nuk është njeri i përkryer. E në qoftë se në Shqipërinë e sotme kritika nuk lejohet ose nuk pëlqehet, çdo koment është i tepërt nga ana ime. Dua të them vetëm se kritika shumë herë i bëhet më mikut se armikut. Mirëpo, o Krexe, ti harrove se për demokracinë evropiane e evropianoide fjalën e fundit ende nuk e thamë.”
“Me siguri ju mendoni se demokracia s’është e s’mund të jetë sistem i përsosur, se demokracia nuk u garanton as punë, as mirëqënie të gjithë qytetarëvet, se shumë të drejta janë më me vlerë teorike se praktike. Këtë e keni thënë shpeshherë e unë ju kuptoj mirë. Megjithatë, sistemi demokratik është më pak i keq se çdo sistem tjetër i praktikuar deri më sot, e kush do një sistem më të mirë, duhet të bëjë më parë njerëzit më të mirë e pastaj, e shoqëria e shteti bëhen vetvetiu më të mirë. Ju thatë edhe se sistemi demokratik i garanton njeriut të drejtat individuale ose njerëzore, i siguron qytetarit shtetin laik, duke mos i premtuar atij lumturi vetëm pas vdekjes etj. Natyrisht, është për të shpresuar se njeriu nesër ose pasnesër do të bëhet më i urtë politikisht, po e nesërmja është larg e ne merremi me të sotmen e pikërisht me të sotmen shqiptare.”
1999