një plagë si s’ka më bukur / o rană de toată frumuseţea

Eugenia ŢARĂLUNGĂ



Poete, eseiste, gazetare, lindur më 18 gusht 1967 në Bukuresht. Ka mbaruar Fakultetin e Teknologjisë Kimike, Shkollën e Lartë të Gayetarisë dhe Shkollat e Radios dhe të Televiyionit BBC. Autore ciklesh poetike të pritura me entuziazëm nga kritika në revistat kulturore të Rumaniasë e jashtë saj, si dhe e vëllimeve “njësi të vogla përftimi” dhe ”biu”, që është cilësuar një vegim për poezinë rumune bashkëkohore.


thes pa sënduk
(sac fără sipet)

besoja se ky mekanizëm ka një lojë
një hapësirë lirie mes pjesëve përbërëse
kur aty gjithçka është prishur ngrirë
jo veç mortja sjellka rregullin e pashkelshëm
rigor mortis
kufizim gradësh lirie hienash
që shoqërojnë bashkëjetesën kët’ rruzull

jo veç ti je kapu së gjalli në këtë ujdi
në kallon e litarit të ashpër
sa e lakueshme është bezja e këtij thesi?
a!... mund t’u paloska e të na vlejë më shumë
kur ndërrojmë banesën dhomën
orenditë çizmet prej tape dhe ecjen përpara
hedhin rrokapjekthi në thes sende me ngjyra që aty
                              e këtu
jo ato që i çmojmë më shumë
nga thesi
as ato nga të cilat shpëtojmë përfundimisht

fasha e mesme e grive fitimtare
llafet e gardianëve zërat nga off-et e ofshamave
këto hyjnë në tjetër thes
të gjitha na bëjnë mirë
të gjitha janë tonat

skaje të ndehur
(margini laxe)

kthehem në të shkuar marrakëmbthi e dyndur
e mora vesh: jeta qënka e hartuar për dy
s’mundet ndryshe
dhe ndjej si dhogat e saj më shkasin
përgjatë kurmit

endem mbi një furtunë me skaje të ndehur pa shpëtim
gjysmë e pashpëtuar e askujt

pellgohem mes rrënjësh qielli
njëfarë jete prore e shkalafitur
gjakim drejt së kuqes askurrë të sunduar
unë roje i pafuqishëm i ca kufijsh vetmitarë
që doja të më rrethonin
e të më shtrëngonin si muri i mjeshtrit Manol
ta nxirrnin ata jetën prej meje
të përçudnuar tharë etur pas ftesash të tjera

a thua se jam e sigurtë që nga ftesa
qënkam lindur
e gjithë ç’merr jetë vjen nga një ftesë
duke mbledhur fshehtas një emër
pak a shumë të përshtatshëm

një plagë si s’ka më bukur
(o rană de toată frumuseţea)

konkrektja kriset
nga ana tjetër e dashurisë
rëndesën e së cilës e bartim tani

e egër dorëheqje
bëhet befas ledhatare
për ata që patën fat të jetojnë diçka të tillë

një dhembje me mure të rremë fanitet diku përreth
fuqitë i kam të numëruara dhe trupin të matur
papajtuar me mungesën e fuqisë së përqafimit

e megjithatë shkretimtari ende mbante era
kafshë e re zhgërryer në dëborë

të rëndit e botës
(greul lumii)

fëmijët rrijnë në rrethinat e jetës
këqyrin gjatë një ujë si ky
disa fishkëllejnë një këngëzë

do ishin kthyer me shpinën ndaj nesh
por atje nuk ka veç një mur
hëpërhë nuk i dhëmbëzon

të mëdhenjtë që sţe dijnë çţka në kokën e tyre
ja! Kanë tashmë kujtime si ca pllaka guri
prandaj edhe i tërheq çdo gjë e rrumbullt
ose që gjarpëron njëfarësoj

e rënda e botës është më e lehtë tani
qysh kur fëmijët nuk pranojnë të mishërohen

ushqim për zogjtë e ajrit
(hrană pentru păsările văzduhului)

ajo numuron ditët mbeteshin edhe dy vjet
ishte një vijë dhe një breg
sa do t’i duhej
për të shpëtuar nga kjo darë
diçka vendimtare u shtohet vendimtareve tashmë të njohura
mund të tradhtoja ose të plagosja mjaftueshëm

dikush vë shuplakën çati mbi sy
në kishë
të shohë shenjtorët e ngucur
pa numur
me fytyrat drejt hartimit të mbarë të ajrit
Zot, endu Ti Brenda meje

flatro I mëshirshëm drejt meje
mes qiejsh të rrjetëzuar
ujdinë e të cilëve nuk e njoh
e papërshkueshme

edhe sa kohe do ta tërheq këtë kryq
pa ia gjetur vendin

marr poezinë dhe e shtje në vazo të mëdha
dikur thërrmoj ç’ka mbetur
dhe ua jap zogjve

të tjerë sy, të pabotësuar
(alţi ochi, nelumiţi)

sheh atë
pa kurrfarë lidhjeje me dhimbjen
kthimi ndaj vetes del e tepron

ajo thotë se i janë hapur ca sy më shumë
mbulesë e ashpër e ndoca vrima qyngjesh
ku dendim jashtëqitjet
shpëtim i huaj për ata që janë shembur tepër shpesh

trofe
(trofeu)

e ankthshme qënie dylli
ndeshu me tmerrin

poshtë shpëtimit
mos më tret

kërko gjer në pafuqi
trofeja do jetë bash kjo
kurmi yt i plotë i lëmuar
pa asnjë mufatje
i gatshëm të rrotullohet rrezikshëm
skajeve të verbimit

me dorën në veshin e një filxhani
(cu mâna pe toarta unei ceşti)

njëri sy qesh tjetri qan
cili të jetë vallë
dikur gjithçka bëja qe e shenjtë
edhe pirja e çajit me dorën në vesh të një filxhani
dashuria që të larton mund edhe të tëzvarritë
drejt një syri që qan
një syri që qesh
i bukosur