MIRÇEA ELIADE për MIHAI EMINESKUN

Pas kundërshtimeve që Eminesku pat hasur gjatë jetës së tij të shkurtër e plot vuajtje, vepra e tij u parapëlqye rrufeshëm nga kombi mbarë, jo vetëm nga shtresat e kulturuara. Nuk e di nëse janë numuruar ndonjëherë ekzemplarët e shtypur të Poezive të Emineskut. Por në më pak se gjysëm shekulli, këto poezi janë riprodhuar në disa dhjetra botime, që nga shtypshkrimet e thjeshta popullore, deri në botimin e admirueshëm kritik të Fondacioneve Mbretërore, të përkujdesur nga Perpessicius. Sot, pasi kanë njohur kaq maja dhe kaq nderime, Poezitë e Emineskut, të censuruara në vend, shfaqen kështu sikurse i shihni, me petkun e ndrojtur të mërgimit. Lavdia e Mihai Emineskut do të kish qënë ndoshta më pak domethënëse, po qe se nuk do të merrte pjesë edhe ai, që përtej shekullit, në tragjedinë e kombit rumun. 
Çfarë do të thonë për të gjithë ne, poezia, letërsia dhe mendimi politik i Emineskut, e dimë, dhe do të ishte e tepërt ta përmendim sërish. Gjithçka që është krijuar pas tij, nga Nikolae Jorga dhe Tudor Argezi, deri te Vasile Parvani, Nae Jonesku dhe Luçian Blaga, mban vulën e gjenialitetit ose të paktën të gjuhës emineskiane. Rrallëherë një komb i tërë e ka rigjetur veten në një poet me kaq spontaneitet dhe me kaq zjarrmì, sa e ka rigjetur veten kombi rumun në veprën e Emineskut. E duam të gjithë Kreangën, e admirojmë Hashdeun, mësojmë të shkruajmë nga Odobesku, e respektojmë Titu Majoreskun dhe me zor mund të lemë të kalojë shumë kohë pa e ripërmendur Karaxhialen. Por Eminesku, për secilin prej nesh, është krejt tjetër gjë. Ai na ka shpalosur të tjera agime dhe na ka bërë të njohim të tjerë lotë. 
Ai dhe vetëm ai na ka ndihmuar të kuptojmë rrahjen e zemrës. Ai na e ka ndriçuar kuptimësinë dhe gëzimin e mosfatit për të qënë rumun. 
Për ne, Eminesku nuk është vetëm poeti më i madh i yni dhe gjeniu më i ndritshëm që kanë ngjizur dheu, ujrat dhe qielli rumun. Ai është, në një farë mënyre, vetë mishërimi i këtij qielli dhe i këtij dheu, me të gjitha bukuritë, dhembjet e shpresat, të lindura prej tyre. Ne të këtushmit, të shkëputur nga toka dhe nga kombi, e rigjejmë në çdo gjë që kemi lënë pas, që nga ajri i maleve tanë dhe nga melankolia e detit tonë, deri në qiellin e natës rumune dhe në blirin e lulëzuar të fëminisë sonë. Duke e rilexuar Emineskun, rikthehemi si në një gjumë të ëmbël, në shtëpi. Krejt Gjithësinë tonë e kemi në vetëm disa dhjetra faqe, të cilat një dorë e zellshme i ka shtypur dhe i shpërndan sot në të gjithë cepat e botës, gjithkund ku na ka hapërdarë kurbeti. Ruajini mirë; është gjithçka që na ka mbetur e panjollë nga ujrat, nga qielli dhe nga dheu ynë rumun.

Paris, shtator 1949