Hiqmet Meçaj: Vjedhësi i rrugëve (tregim)

Atë ditë Nameti kishte vendosur të shkonte së pari te Jaja Poli. Melin për pëllumbat e egër mezi e gjeti aty ku e kishte fshehur, pas pasqyrës së vogël, që ta zmadhonte hundën e ta nxirrte si ajo kodra e shëmtuar plot gunga të kuqërremta, vendosur si me shejtanllëk përtej shumëbanesës së tyre të plasaritur nga pleqëria. E dinte që plaka do të gëzohej, do ta linte t’i merrte në dorë pëllumbat e, po të donte, mund ta lejonte t’ua puthte pak sqepin, por ama, vetëm aq.

Pastaj do t’i duhej t’i bënte një vizitë të shkurtër Kapedan Janit, të flisnin për anijen e tij të përbindshme, pa le më për gratë, që zoti i ka krijuar për të na e pjerdhur mëndjen, siç përsërit gjithnjë ai, duke na e shkundur atë veglën poshtë, gjë që nuk ia vlen fare.
Kurse për të tjerat, dihej. Do t’u gëzohej rrugëve, që askush nuk e vret mëndjen se përse kanë të gjitha emra zanash, shtojzavallesh e qëniesh të krijuara nga tru të hallakatur e që bashkia ka menduar t’i shkruajë kaq ngjitur, në tabelat e ngulura nëpër hunj prej alumini.
Bri shumëbanesës derdhet poshtë Sirinoni, që është rruga e sirenave dhe kryqëzohet lart me Parthenonin e poshtë me Najadhonin, që s’duhet të jenë veçse virgjëreshat dhe najadat. Paralel me Sirinonin, ngarkuar me pallate të bukur e dyqane luksozë, parakalon Niridhoni, si një nerajdë e hijshme e kështu me radhë, Kalipsoja, Afrodhiti...
Nameti e ka bërë zakon, i bie një herë rrotull Sirinonit deri te Parthenoni, jo se kërkon të takojë aty ndonjë virgjëreshë apo sirenë, megjithëse të tilla, me gjokset deri te gryka, qarkullojnë e shkunden përditë, por se nuk ka ç’bën, nëpër kafenera s’hyn dot, sepse, një filxhan që serviret në to, vlen sa gjithë ushqimet që i duhet të blejë për dy ditë bashkë. Ecën ngadalë e më nge, dredh cigaren nga kutia Rapid, vështron jargavanët, i bën “pës” ndonjë maceje, nuk përshëndetet fare se nuk njihet me njeri. Kuptohet që, veç Jaja Polit dhe Kapedan Janit, gjërat më me vlerë për të janë gjithë këto rrugë.
Prandaj dhe atë ditë, pasi rufiti frapenë me pesë cigare radhazi, i futi dy-tri pompa nga kolonja e lirë e rusëve, u sigurua për çelësin në se e kishte në xhep dhe nisi të zbresë më nge shkallët, ngaqë shumëbanesa e tyre nuk ka ulngritës.
Sa hapi derën e rëndë që të nxirrte jashtë, pamja qe vërtetë tronditëse. Mungonte lulishtja dhe gardhi rrethues, katër shkallët ngjitëse që të nxirrnin në rrugën Terpsihoris, mungonte edhe vetë rruga Terpsihoris. Supermarketi Andonopulos, që duhej të ishte përballë, gati sa nuk e përplaste fytyrën me pallatin e tyre. Tashmë rruga Terpsihoris, ku parkoheshin në të dyja anët makina luksoze e prap kishte vënd për të kaluar të tjerat, qe bërë një pëllëmbë e gjerë. As macet nuk mund të lëviznin lirisht aty.
Mund të kthehej përsëri brenda, nuk e prisnin punë të ngutshme, mirëpo qe mësuar të shikonte Sirinonin, t’i binte rrotull Parthenonit, t’u hidhte një sy shitoreve të mbushura dinga të Niridhonit e pastaj të nisej drejt udhëgjerës Poseidhon, ku do t’u puthte sqepat pëllumbave të egër, po të ishte në të mira Jaja Poli. Vuri dorën në xhep, u sigurua që meli ishte aty. Pastaj do të nisej më këmbë buzë detit për të arritur te Kapedan Jani, të cilit i kishte dhënë fjalën dhe ai e priste. Të gjitha këto, mendoi ai, duhej të mos i bënte? Të mos i bënte sepse iu tek rrugës Terpsihoris të lëvizte nga vendi, të shtypej e të hollohej sa një pëllëmbë, duke e ngjitur supermarketin Andonopulos mu tek muri i shumëbanesës 53 g.?
Mirëpo nuk qe kështu. Gabim e mendoi që këto proçka i paska bërë rruga Terpsihoris me tekat e saj të papritura, sepse në fillim nuk i kuptoi zërat prej nga vinin, por më vonë i dëgjoi fare shkoqur tek gumëzhinin nga maja e terracës. S’kishte si të mos hutohej kur u dëgjua dikush të thotë: “Nuk mungoka vetëm Terpsihoris, por edhe Artemidhos, Najadhoni me Niridhonin, Afrodhiti e Alqioni. Dikush na i paska vjedhur të gjitha rrugët”!
Kur u ngjit edhe vetë në terracë, nuk u besoi syve. Banorët e lagjes kishin hipur majë shumëbanesave, që tani dukeshin të ishin ngjitur e ngjeshur me njera-tjetrën dhe aty, ku duhej të ishin rrugët, kishin mbetur disa ngushtësira të mjera hollaqe, që ngjanin më tepër me vija shtrembanuke. Edhe për të qeshur, edhe për të qarë!
Lagja e bukur, e mbledhur sa një grusht, po përjetonte tani çaste që as i kishte menduar më parë.
-Poseidhoni u hap,- briti papritur dikush, që vëshgonte me një tejqyrë të gjatë si ato të piratëve.- U mbyll prapë,- rënkoi ai,- u lejuan të kalonin vetëm një shpurë makinash.
-Vure re cilët kaluan?
-Presidenti,- u shfry ai.
-Paketa President, ajo me 25 cigare?- u mundua të bënte shaka dikush.
-Jo, jo, i vërteti,- u përgjigj njeriu me tejqyrë.
Tani u kuptua nga të gjithë se gjendja ishte vërtetë e rëndë. Duhej të ishe kreu i shtetit që rruga të lejohej, mirëpo edhe kjo nuk përbënte zgjidhje, sepse president mund të bëhej vetëm një njeri, kurse ata ishin shumë. Por a mund të bëhej presidente, për shembull zonja Aleksandra, dyqind kile, e trashë aq sa nuk e nxinte as dera dhe e shtynin me karrocë? Për zotin Aslanis, as që bëhej fjalë, se i kishte ngrënë në tru dy cerebrale dhe ngatërronte qenin me kokrrën e portokalles...
Më pas pëshpëritjet u shtuan. Dikush tha se u hap për pak Najadhoni, më pas e njëjta gjë u fol për Alqionin, por këtu habia u bë e madhe sa kodra e rrjepur përballë: qe lejuar të kalonte Antigoni, që të gjithë e dinin prej kohësh të vdekur e të kallur. Por ja që Antigoni qenkej ende gjallë, i marrka akoma në qafë burrat, komandoka edhe vjedhësit më të mëdhenj, sidomos ata të rrugëve!
Nameti kishte dëgjuar për fantazmën e Antigonit, që i thëthinte meshkujt nga njëqind metra larg, i fuste te vrima e epshit të vet, aq sa ata nuk flinin më dot me gratë e tyre as pas disa muajve, kur mezi dilnin që andej, të fishkur, të latërzhyer e të perënduar. Antigoni qe bërë tmerri i grave, në gjallje dhe në vdekje, por më tmerr u bë tani, pikërisht sot, kur të gjitha rrugët ishin vjedhur, kurse për të po hapeshin.
Pastaj tejqyra kaloi dorë më dorë e sy më sy. Brenda tubit të saj një bebelino e madhe filloi të shtynte muret që lëviznin, sikur të kishin rrota nën vete, e të zbulohej pak nga pak, në fillim ndonjë gardh, pastaj pak gjelbërim, ngjyra gri e asfaltit, njollat e maceve dhe të qenve. Dikush filloi të rendë me një vrap të çmendur.
- Vjedhësi, vjedhësi po ia mbath, - u dëgjuan zëra nëpër të gjitha terracat. - Bebelinua e hapi rrugën Terpsihoris.