Kopi Kyçyku: Lirizmi i ngrohtë i shqipes (Përsiatje mbi një vepër pa të dytë në llojin e vet)

Jemi mësuar që gjininë lirike ta shohim të mishëruar në vepra letrare, në të cilat janë shpalosur drejtpërdrejt, - ndryshe nga gjinia epike, - mendimet, idetë dhe ndjenjat e autorit përmes un-it lirik. Në gjininë lirike mbizotëron përfytyrimi dhe përjetimi artistik, çka pasqyrohen me teknika aluduese dhe bashkëshoqëruese duke ngjizur një univers me fuqi të madhe sugjestionuese për lexuesin. Kemi të bëjmë me një diskurs subjektiv, vetjak, që botën e brendshme e shpreh me ndihmën e figurave stilistike dhe simboleve. Zakonisht diskursi në fjalë paraqitet në vetën e parë, por nuk përjashtohet as veta e dytë. Vepra lirike mund të jetë e kultivuar (ka autor të njohur, mbart karakter origjinal) ose popullore (me karakter anonim, kolektiv, gojor).
Termi “lirik” e ka zanafillën tek vegla muzikore e quajtur “lirë”, shembëlltyrë e Apollos, hyu helen i dritës, muzikës dhe poezisë. Në Greqinë e lashtë ky term u përdor për shkrimin e teksteve poetike, të shoqëruar nga lira. Vetëm në kohët moderne poezia lirike do të nënkuptonte krijimin letrar që shpreh ndjenja ose qëndrime. Shkallë-shkallë lirizmi u njësua me poezinë, e cila do t’u nënshtrohej disa mjetesh formale si: vargu, strofa, ritmi dhe rima. 
Në letërsinë bashkëkohore nuk mund të bëhet më fjalë thjesht për një shkrirje të gjinisë lirike me poezinë, përderisa ekzistojnë edhe vepra lirike në prozë, siç është rasti i krijimeve të përfshira në “Pena e vjeshtës së artë”, përgatitur nga Vasil Premçi. Për më tepër, në krijimtarinë poetike bie në sy një përzierje e lirizmit me epiken dhe një prirje për të dalë jashtë caqeve të rregullave të ngurta të vjershërimit. 
Historia e përgatitjes për botim e vëllimit me tregime të zgjedhura lirike shqiptare “Pena e vjeshtës së artë” (Shtëpia Botuese Vllamasi, Tiranë, 2015), nga shkrimtari, studiuesi dhe eseisti Vasil Premçi, e ka zanafillën kohë më parë, kur intelektuali i sapopërmendur vendosi “të harrojë” për një farë kohe krijimtarinë e vet për t’u marrë me qëmtimin dhe përzgjedhjen tepër të përgjegjshme të tregimeve lirike më të arrira të kolegëve shqiptarë të penës, të vjetër e të rinj, të vdekur (fizikisht) apo të gjallë. Kjo nismë fisnike e vuri në lëvizje dhe me pasion, - të rrallëhasur në mjedise ku dendur mbijnë e hedhin shtat barishtet e së keqes, - përveshi llërët për të dhënë një vepër të mbarëpranueshme nga lexuesi. Ideja mbart në vetvete vënien në peshoren e gjykimit të paanshëm të vlerave të 72 autorëve, jo pak prej të cilëve kanë hyrë tashmë me hap të sigurtë në Panteonin e letrave shqipe, ngjajshëm me krijimet më dinjitoze folklorike të lëmuara e të përkryera nga shekujt, për të mos u fshirë kurrë nga kujtesa e kombit. 
Shumë syresh nuk kanë pasur maninë të zenë faqe të tëra në gazeta e revista apo në ekranet televizive; nuk bëjnë pjesë as në radhët e atyre që njihen si “të abonuar në krijimin e opinionit”. Kjo veçori e secilit nga të 72-tët e mësipërm ngjan me pasaportën që i fut lehtësisht në “sallën” e madhe plot dritë të mirënjohjes mbarëkombëtare. Shprehem kësisoj se kjo vepër 622 faqëshe meriton të arrijë në duart e zemrat e bashkëkombësve tanë të kudondodhur, për t’i vetëdijësuar më tej që të krenohen me të drejtë me vlerat e epërme të shkrimtarëve shqiptarë, me ndihmesën e tyre të mirëfilltë në pasurimin e kulturës e të qytetërimit botëror. 
Duke shfletuar këtë vepër sintetike, të konceptuar e të ndërtuar me një arkitekturë njëherazi tradicionale dhe moderne, kemi në pëllëmbë të dorës fushat e gjera, malet e lartë dhe lumenjtë e atmëmëdheut, bashkë me jehonat e bëmave shumëshekullore të atyre që kanë frymuar, përsiatur e punuar aty; me ëndrrat e mendimet, me shpresat dhe arritjet e kombit tonë. Të gjitha këto të kumtuara me mjeshtëri e art nga rrëfimtarë stilesh të ndryshëm, nga “solistë” me zë të mirëdallueshëm nga shoshoqi, por që i bashkon në një kor të fuqishëm e të mirëintonuar dashuria për këto vise, në dejet e të cilave ka rrjedhur jetemot gjak i kulluar e përtëritës; përkushtimi ndaj shqipes së gjithëkohëshme - simbol i unitetit dhe i vitalitetit mbarëshqiptar. 
Brendapërbrenda lirikës, larmia tematike shpalos një numur të madh “nënlirikash” që i bëjnë jehonë një këndvështrimi të caktuar, me mëvehtësi dhe individualitet të spikatur. Ashtu sikurse ka vënë në dukje në parathënien - ese “Dehja e shpirtit” vetë hartuesi i veprës, Vasil Premçi, “Lirikat pasqyrojnë një gjendje të gëzuar ose edhe një gjendje të trishtuar të njeriut...”. 
Që të bindemi për sa sapo thamë, mjaft të përmendim titujt e tregimeve për të njohur me këtë rast edhe emrat e autorëve të përfshirë në këtë vepër: “Magjia e gishtrinjve” (Agim Pepa), “Si nën qiell” (Ardian-Christian Kyçyku), “Ndjenja” (Albert Zholi), “Atomet, shpirti, dashuria” (Anton Gojçaj), “Fyelli magjepsës” (Anton Papleka), “Shpina e burrit” (Arian Leka), “Perria” (Arlinda Canaj), “”Lamtumirë, pranverë!” (Bahri Myftari), “Dashuria e fundit” (Basir Bushkashi), “Kali qorr” (Bedri Myftari), “Ave Maria” (Bilal Xhaferri), “Një grusht xixëllonjash” (Blendi Fevziu), “Sytë jeshilë” (Brixhilda Ndini), “Ujku” (Dritëro Agolli), “Lalë Ndreu nuk thotë përralla” (Dushko Vetmo), “Një send bukurie” (Dhimitër Shuteriqi), “Flirt në një ditë dimri” (Dhori Qiriazi), “Verbëri” (Enver Kushi), “I vdekuri qesh” (Eris Rusi), “6, 9, 12, 15” (Ermira Jorgo), “Ujët e pusit” (Ernest Koliqi), “”Dikur në rrugën me kalldrëm” (Eva Lena), “Rubi e vogël” (Faik Ballanca), “ Shkrafanjitje” (Fatmir Terziu), “Wrong number” (Faruk Myrtaj), “Njeriu që priste” (Gazmend Krasniqi), “Pantomimë” (Gjergj Vlashi), “”Budallaj që këndon” (Gjikë Kuqali), “Për një grimë lumturi” (Helena Kadare), “E krehura” (Ismail Kadare), “Karmencita” (Istref Haxhillari), “Baladë vjeshte” (Izet Shehu), “Njeriu dhe kali” (Katjusha Pogaçi), “Një dashuri” (Kiço Blushi), “Arkëza e rrëfimeve shkretë” (Kim Mehmeti), “Sashenka” (Konstandin Dhamo), “Përqafim” (Kristaq Tutulani), “Pas trokitjes së derës” (Kujtim Morina), “Kostumi i dhive” (Kujtim Stana), “Dashuria” (Lazër Stani), “Balerinët” (Leonard Veizi), “Bukuria që vret” (Migjeni), “Dashuria e Matildës” (Milto Sotir Gurra), “I vdekuri dhe i gjalli” (Mitrush Kuteli), “Vezët e pëllumbave” (Namik Mane), “Nën mollë” (Nasi Lera), “Bilbili” (Nasho Jorgaqi), “Zogu prej druri” (Naum Prifti), “Brenga e plakut cigan” (Nazmi Seitaj), “Puthja e gruas” (Ndue Gjika), “Për Elizën”, Plakat gazmore dhe Ëngjëlli me virus (Petraq Risto), “Vajza e valëve” (Petro Marko), “Albumi i nënës” (Pirro Loli), “Macja e zezë” (Ramiz Gjini), “Ajo natë” (Riza Braholli), “Lara” (Roland Gjoza), “Deti i dashurisë së parë” (Sazan Goliku), “Këngët e rinisë së parë” (Sotir Andoni), “Manoli” (Sulejman Mato), “Shtegu” (Suzana Kuqi), “Neta” (Sterjo Spasse), “Bukuri mashtruese” (Shefqet Tigani), “Rrëfimi i kapitenit” (Shpend Topollaj), “Kënga e Sibilës” (Shpëtim Kelmendi), “Tregim lirik në dimër” (Teodor Laço), “Pse hutohesh, Peggy?” (Vaid Hyzoti), “Ku je tani, Magdalena?” (Vasil Premçi), “Lamtumirë, Macila!” (Vath Koreshi), “Berberi” (Xhoxhi Prendi), “Vjeshta” (Ymer Shkreli), “Formula e jetës” (Zija Çela), “E puthura e dikurshme” (Zydi Morava). 
Nisma origjinale dhe e frymëzuar e Vasil Premçit është finalizuar me sukses të plotë duke merituar pagëzimin me emrin “vepër atmëmëdhetare me frymëmarrje të gjerë artistike e shkencore”.