Kopi Kyçyku: Me numurin 1 të shkencës shqiptare


Kur lexoi pa syze fjalën prekëse dhe plot brumë për 85-vjetorin e Dritëro Agollit, në konferencën e zhvilluar këto ditë në Akademinë e Shkencave, personi numur 1 i këtij institucioni, akademiku Muzafer Korkuti, tregoi vitalitet për moshën që ka. Ky burrë, megjithse është marrë me arkeologjinë, me lashtësinë, pra me gjërat “e vjetra”, përherë ka qenë në kërkim të së resë, të përparimtares, i hapur ndaj zhvillimeve shkencore në shkallë botërore. Të tillë e kam njohur nga afër dhe, si të gjithë, e kam çmuar gjatë mbi një dekade që kam pasur nderin të punoj në Akademi.
I lindur në Fterrë më 1936, përfundoi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe u specializua si arkeolog në fushën e parahistorisë. Për mbi dyzet vjet ai ka drejtuar gërmime në mbi 15 qendra para dhe protohistorike. Krahas veprave “Parailirët, ilirët, arbërit: histori e shkurtër”, “Qytetërimi neolitik dhe eneolitik në Shqipëri” dhe vepra të tjera, Muzafer Korkuti ka botuar dhjetra artikuj në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit, është bashkautor i teksteve universitare “Arkeologjia”, “Historia e popullit shqiptar”, “Les illyriens” dhe ka qenë mësimdhënës në universitetet e Tiranës e të Prishtinës e i ftuar në Paris (Francë), në Hajdelberg e Munster (Gjermani), në Romë, Pizë, Bari e Bolonjë (Itali), Çinçinati (SHBA) etj. Korkuti ka marrë pjesë me kumtesa e referate shkencore në shumë simpoziume dhe kongrese ndërkombëtare. Për një kohë të gjatë ka mbajtur postin e drejtorit të Institutit të Arkeologjisë e të kryeredaktorit të revistës “Iliria” dhe është anëtar korrespondent i Institutit Arkeologjik Gjerman. Qysh nga viti 2013, është zgjedhur kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Por më fort se numuri i veprave të botuara, bie në sy paleta mjaft e gjerë e erudicionit të tij. Mendimi shkencor i Korkutit praktikisht përbën një enciklopedi njohurish në një hap me përparimet e shënuara në shkencat që kanë objekt lashtësinë.
Ç’është në radhë të parë një shkencëtar? Kur ke përballë akademikun Korkuti, vetvetiu del në përfundimin se njeriu i shkencës është një kurreshtar që vështron nëpër vrimën e çelësit të natyrës, për të mësuar se çfarë ndodh. Por jo thjesht kurreshtar, i reduktuar në një intelekt që përsiat. Ai është më i përkryer se sa një makinë llogaritëse, është një krijesë e gjallë, që tregon interes edhe për kulturën e përgjithshme. Shkencëtari i vërtetë shtron vazhdimisht pyetje dhe përpiqet t’u japë përgjigje, ngjiz pandehma të verifikueshme dhe grumbullon të dhëna nga përvojat më të mira.
Tashmë që kemi kafet në tavolinë dhe kemi zënë vend ngeshëm në kolltuk, na “zgjidhet” gjuha dhe sikur na e ka ënda të përmendim gjëra të njohura, por që janë të mirëpritura në këtë mjedis. Shkenca përbën një sistem njohurish teorike të thella që i bëjnë jehonë një realiteti të caktuar. Përbërësja kryesore e një shkence është teoria, me kusht që kjo ta pasqyrojë të vërtetën në trajtë abstrakte, përmes nocioneve, duke synuar të zbulojë dhe të studiojë ligjet që përcaktojnë faktet e dukuritë. Në themel të këtyre ligjeve qëndrojnë parashikimet e mundshme shkencore. Shkenca përbën faktorin kryesor të përparimit. Përmes zhbirimit të ligjeve objektive që “qeverisin” dukuritë, ajo synon të parathotë zhvillimin e tyre. Përmes përmbajtjes së saj, shkenca përfaqëson përgjithësimin e dijeve të fituara në praktikën sociale, duke qënë një produkt i zhvillimit historik të shoqërisë. Ndryshe nga dijenitë empirike, që grumbullohen kryekëput gjatë veprimtarisë praktike dhe që shumë-shumë konstatojnë përsëritjen e disa dukurive, njohuritë shkencore janë rrjedhojë e një veprimtarie të specializuar, që mbështetet në vëzhgime sistematike, në eksperimente, në pandehma të reja dhe në vërtetimin e tyre. Ato përbëjnë pasqyrimin e thelbit të proceseve, të ligjeve objektive të zhvillimit. Për të garantuar rritjen e performancave në të gjithë segmentet e veprimtarisë njerëzore, nevojitet ndryshim e modernizim mendësish, çka mishërohet në praktikë përmes zbatimit të teknikave dhe metodave shumë(ndër)disiplinore. Kërkimi përfaqëson një nga funksionet e shkencës. Funksioni tjetër është interpretimi. Aspektet thelbësorë janë hulumtimi i realitetit konkret në mënyrë sistematike, që realizohet përmes vëzhgimit dhe eksperimentit dhe pasohet nga përshkrimi e klasifikimi cilësor logjik dhe regjistrimi sasior matematik. Shkenca nuk është thjesht një grumbullim dijesh që transmetohet me anë të traditës, por dhe metodë e fitimit të këtyre njohurive. Në këtë kontekst shfaqet e natyrshme ekzistenca e aspekteve metodologjike të kërkimit, që i ka përshkruar J. Bernall: vëzhgimi eksperimentalisht, klasifikimi dhe matja, aparatura, gjuha shkencore, ligjet, pandehmat, teoritë dhe strategjia, të cilat së bashku janë përbërëse të shkencës, e cila këqyret si metodë. Kriteri që ndodhet në themel të klasifikimit të llojeve të kërkimit është pikësynimi që ndiqet, qëllimi i kërkimit. Duke u nisur nga sapo thamë, shumica e autorëve shquajnë tre tipe kërkimi: a. kërkimi themelor; b. kërkimi aplikativ; c. Kërkimi për zhvillim. Kërkimi themelor synon të zbulojë atë që është thelbësore në një drejtim të caktuar në lëmin përkatës, ka karakter ligji ose norme dhe përfaqëson bazën teorike të një aspekti të tij. Kërkimi themelor përfshin hulumtimet në trajtë studimesh teorike ose hulumtime eksperimentale që më në fund çojnë në formësimin e kuadrit dhe të përmbajtjes së shkencës në fushën përkatëse. Ndalemi këtu sepse një shqetësim i thellë e grish bashkëfolësin tim: ku dhemb dhembi vete gjuha. Akademiku Korkuti, duke lëshuar një psherëtimë, më le të kuptoj se gjithçka thamë (mund të thoshim edhe shumë të tjera) nuk po gjen konkretizim. Dikur institutet shkencore, pjesë organike e Akademisë, ishin “fabrika” që prodhonin vepra me peshë në të gjitha fushat. Tani, pa to, Akademia sikur nuk ka as zemër e as gojë. Reformat nuk po çojnë ujë në “mullirin” e shkencës. Akademiku Korkuti, organizator i lindur, i ka duart të zëna nga llojlloj “eksperimentesh” e “operacionesh”, të cilave u është nënshtruar trupi, sa i fisëm, gjithaq edhe delikat i Akademisë dhe që duhet të marrin fund sa më parë, duke prerë vetëm apendicitin, - edhe këtij, që është i tepërt qysh në lindje, t’ia futim thikën nëqoftëse do të na shkaktojë dhembje!, - jo aortën!