Teuta Toska: Një letër dashurie për letërsinë

Letër Dylqinjës” i autorit Agim Baçi, botuar së fundmi nga shtëpia botuese ”Onufri” është një libër i pazakontë që vjen për lexuesit shqiptar. Pazakonshmëria e tij lidhet me tri arsye parësore, që mund të përbëjnë edhe themele mbi të cilët mbështetet komunikimi letrar. Po flasim për personazhin, formën dhe përmbajtjen e tekstit.
Letër Dylqinjës” nuk është një libër për shkrimtarin / shkrimtarët – në fakt autori sjell në tekst disa shkrimtarë të njohur të letërsisë botërore, si Tolstoi, Shekspiri, Stefan Cvajku, Milan Kunderën etj. Ai përmban një bashkëbisedim të trilluar me ta në formën e letërkëmbimit. Ndonjëherë autori luan me lexuesin e librit duke e lëshuar në atë trazirën e leximit të bukur: e vërtetë apo trillim? “Nuk u kam besuar syve. Për këtë shkak këtë letër e kam mbajtur për vite me radhë nën jastëk. Të më shkruajë mua Shekspiri?”. Unë lexuesi e di që jo, me siguri. Edhe pse do të doja të ishte e vërtetë.

Ky nuk është as një libër për personazhet, ndër më të njohurit e letërsisë, ata më klasikët, edhe pse nëpër faqet e librit ne lexojmë për Dylqinjën, Don Kishotin, Ema Bovarinë, Shvejkun, Tom Sojerin, Alioshën etj. Nuk do të lexojmë zbërthime psikologjike, analiza letrare dhe strukturime tipologjike, përsiatje për arketipat që përfaqësojnë dhe shndërrimet që pësojnë në kryeveprat përkatëse.
Ky është një libër ku autor është lexuesi. Më në fund kemi një lexues që ka shkruar një libër; një libër për leximet e tij të thjeshta, vetjake, të thella, të një jete. Dikush mund të thotë se një libër nga qasja e lexuesit është çdo kritikë letrare, çdo libër për shkrimtarët, për veprat e lexuara dhe të analizuara, çdo koment letrar, çdo komentar. Por në faqet e “Letër Dylqinjës” nuk do të gjeni asnjë model teorik analize, asnjë ngrehinë terminologjike të studiuesve të njohur të letërsisë, nuk do të gjejmë përqafimin e ndonjë shkolle interpretimi të tekstit letrar. Aty do të gjejmë “përleshjen” e mahnitshme dhe “titanike” të lexuesit me veprën letrare dhe me gjithë çfarë e bën atë të atillë: personazhin me ngjarjen e vet, veprën dhe shkrimtarin.
Duke qenë se është një libër nga LEXUESI, duket se ky libër ka një histori të gjatë. Ai, ndoshta, ka nisur të shkruhet që me leximin e parë, me atë të një vepre e cila ka qëndruar në mendje dhe në shpirt shumë kohë pasi është mbyllur kopertina e pasme. Në fakt, ky është një libër që mund ta shkruajë secili prej nesh. Çdo lexues bashkëbisedon gjatë me veprën që ka lexuar. Por e ndryshmja e këtij libri është se autori ka marrë guximin ta shkruajë bashkëbisedimin e heshtur, përleshjet e shpirtit të lexuesit me personazhin, ngjarjen, idetë, shkrimtarin, ato kapërthime që në fund sjellin ndryshime të mëdha në karakter, mendime, ide, qëndrime, edhe pse të padukshme, të pashprehshme. Kështu, ky libër i LEXUESIT PËR LEXUESIT risjell kënaqësinë e leximit dhe e “nderon” letërsinë për atë që ajo është: një mjet që ka fuqi për ta hetuar, shndërruar, fuqizuar njeriun brenda nesh.
Dhe, jam e sigurt, se ky libër po vazhdon të shkruhet ende. Ja një pazakonshmëri tjetër: një libër i mbaruar sot, por që po vazhdon ende të shkruhet, që do të përfundohet me librin e fundit që do të lexojë në jetën e vet autori.
Duke qenë një vepër e lexuesit për lexuesin, ajo është një vepër ironikisht postmoderne, edhe pse gjuha është thellësisht e thjeshtë, tematika e personazhet kaq klasikë. Sepse dikur letërsia ishte vepra e AUTORIT, shekuj më vonë letërsia e harroi autorin dhe u themelua tek VEPRA, por sot letërsia është ajo e LEXUESIT. Sepse Cervantesi ka vdekur, “Don Kishoti i Mançës” është një vepër që një pjesë e mirë e lexuesve të këtij shkrimi mund të mos e kenë marrë asnjëherë në dorë, një libër i vjetër diku në bibliotekën e qytetit tënd. Por lexuesi është gjithnjë i gjallë. Dhe kur unë e marr në dorë veprën, jeton Cervantesi dhe gjithë bota e mrekullueshme që ai e krijoi për mua. Vetëm për mua. Kështu, lexuesi i mirë e rikrijon veprën dhe e sjell në jetë shkrimtarin. Akti i tij i leximit bëhet një akt rikrijimi.
Së dyti, vepra nga ana e formës është atipike. Një letërkëmbim imagjinar, ku reale është vetëm njëra palë, ajo që shkruan, lexuesi Agim. Një libër për letërsinë, që mund të jetë një epistolar, por i pangjashëm me ata tipikët. Sepse këto “epistula” nuk rrëfejnë ngjarje, as pikëpamje për ndodhi të rrëfyera, nuk është krejt imagjinar, sepse marrësi është imagjinar, por dërguesi është real (ai quhet Agim Baçi), dhe kështu lexuesi i LEXUESIT zhytet në këtë lojë tërheqëse pazakonshmërie dhe atipike, duke përjetuar me këto udhë krijimi atë që autori (ndoshta) ka dashur ta përfitojmë: leximin si akt lirie, si një përjetim të lirisë së njeriut, si një vepër lirie e secilit prej nesh sa herë duam dhe kur të duam, duke lexuar.
Së treti, kjo vepër atipike letrare e një lexuesi për letërsinë, përmban mesazhe të ndryshme, që përçohen letër pas letre. Çdo letër që i drejtohet një personazhi, i cili njëjtësohet me gjithë kryeveprën letrare së cilës i përket, arrin të sintetizojë një mesazh qendror, të cilën lexuesi Agim mendon se ajo vepër e ka, p.sh. në veprën “Don Kishoti i Mançës” mesazhi qendror është kërkimi për dashurinë, “rrugëtim drejt dashurisë” i secilit prej nesh, sepse: “njerëzit janë pranë vetëm nëse ne i duam” (nga “Letër Dylqinjës”). Ndërsa “Zonja Bovari” është kërkimi i një gruaje për përmbushjen e ëndrrës së vet: “Unë vija nga një ëndërr për një botë të hareshme, plot dashuri dhe emocion. Por për fatin tim Sharli nuk mundi dot të ishte kurrë pjesë e ëndrrës sime.” (Letra që i dërgon Ema Bovari lexuesit Agim, “Letër Dylqinjës”). Ndërsa personazhi i romanit “Frymë të vdekura” të Gogolit na rrëfen se në jetë duhet të kërkosh të jesh i guximshëm. Më mirë të guxosh se të pendohesh, ose të grumbullosh “mençuri të vona”, si quhen në letrën që Çiçikovi i shkruan lexuesit Agim. Çiçikovi e mbyll letrën e tij (imagjinare) duke thënë: “mes botëve tona – mes nesh dhe të tjerëve, mes asaj që shohim dhe asaj që nuk shohim, mes asaj që bëjmë dhe asaj që nuk bëjmë - ka gjithnjë hapësirë për të guxuar për diçka.”
Përtej këtyre mesazheve të thella, mësime për jetën dhe për shpirtin që na vijnë letër pas letre, ka një mesazh tërësor të gjithë këtij libri: një dashuri e pastër dhe e vërtetë për letërsinë. Prandaj ky libër është si “një letër dashurie për letërsinë”, drejtuar asaj, dashurisë pasionante, të fshehtë dhe të pranuar të shumicës prej nesh.

Së fundi, jo rastësisht, ky libër fillon me një personazh imagjinar (Dylqinjën) dhe një shkrimtar të vdekur prej kohësh (Cervantesin) dhe mbyllet me një shkrimtar të madh, ende gjallë: me letrën (imagjinare) që Milan Kundera ia dërgon lexuesit Agim. (ndoshta) Sepse jeta edhe vdekja, koha dhe pakoha nuk janë përmasa të letërsisë: kjo formë e njerëzores ka rendin e vet, përmasat e veta, qenësinë e vet. Ajo, si të thuash, jeton në atë që në gjuhë e njohim si “e tashmja e vazhdimësisë”. Dhe ajo do të vijojë të jetë deri në shkrimtarin e fundit? Jo vetëm. Deri në lexuesin e fundit. Dhe nuk duhet të çuditemi që lexuesi Agim “e ka mbajtur për vite me radhë nën jastëk” letrën që Shekspiri i ka shkruar. Sepse një shkrimtar po na shkruan edhe ne një letër sa herë që ne hapim librin e tij për ta lexuar.